Shëndeti femëror: Nga ardhja e menstruacioneve të para deri te lindja e fëmijës
Kontrollet e rregullta gjinekologjike nuk janë edhe aq të sikletshme sa mund të jenë zbulimet që vijnë prej tyre më pas. Problemet e para gjinekologjike ndodhin në periudhën kur vajzave iu vijnë menstruacionet. Një ndryshim, që sipas mjekes gjinekologe Mimoza Keta, ka nevojë për vëmendjen jo vetëm të prindit, por edhe të mjekut.
Doktoresha, cilat janë problemet e para gjinekologjike që përjetojnë vajzat (adoleshente).
Problemi kryesor për një vajzë të vogël, në momentin që ajo fillon periudhën e pubertetit, është ardhja e menstruacioneve të para.
Si vijnë menstruacionet e para?
Një vajzë e vogël, e cila nuk është e përgatitur për këtë jetën e re, mund t’i flasë nëna, një motër e madhe, merren vesh midis shoqesh. Ka dhe një informacion që merret nga mediat. Një nënë e kujdesshme, që në momentin që vijnë menstruacionet e para te vajza, duhet që së bashku me vajzën të drejtohet te gjinekologu.
Pse?
Që të mësojë higjienën e mbajtjes gjatë periudhës së menstruacionit. Si duhet të jetë higjiena para se të vijnë menstruacionet dhe gjatë periudhës së menstruacioneve. Me qëllim që të evitojë infeksionet e mundshme, të cilat mund të ndodhin si rezultat i mospërdorimit të mirë të rregullave të higjienës.
Moslarja sa herë që shkohet në banjo, mos ndërrimi i linesave sa herë që lind nevoja, apo mënyrat e përdorimit të linesave, dhe kryesisht për t’i shpjeguar vajzës së vogël se çfarë ndodh në organizmin e saj dhe nuk mund t’ia shpjegoj dot prindërit.
Çfarë ndodh faktikisht në organizmin e vajzës?
Në organizmin e kësaj vajze fillon të funksionojë vezorja. Janë dy gjëndra (vezore) që ndodhen në fund të barkut, anash mitrës, të cilat fillojnë të prodhojnë hormone. Pra, kjo vajzë bëhet fertile, e lindshme.
Vezorja prodhon dy hormone kryesore të rëndësishme, që janë: estrogjeni dhe progesteroni. Fillimi i prodhimit të këtyre hormoneve ndikon mbi shtresën e brendshme të mitrës, që quhet endometër. Në 14-ditëshin e parë të ciklit menstrual prodhohet më tepër estrogjen. Estrogjenët i veshin gjëndrat e endometrit ngadalë dhe fillojnë t’i zmadhojnë ato.
Në ditën e 14 deri në ditën e 16 të ciklit, niveli i progesteronit dhe estrogjenit mbetet i njëjtë. Ndërsa, nga dita e 16 e lart, niveli i progesteronit fillon të rritet. Në ditën e 28 të ciklit, nëse marrim normal 28-ditor, ndodh ulja e nivelit të progesteronit.
A ka një ulje të moshës kur vijnë menstruacionet e para?
Po. Ka një ndryshim në ardhjen e menstruacioneve. Është ulur mosha e ardhjes së menstruacioneve. Më parë shkonte rreth moshës 14 vjeç, ndërsa sot shkon rreth moshës 11-12 vjeç. Arsyet? Zhvillimi i organizmit të një vajze, mënyra e ushqyerjes, janë shumë gjëra që ndikojnë shumë në ardhjen më të hershme të menstruacioneve.
Një shtatzëni në këtë moshë?
Një shtatzëni në këtë moshë do të thotë, një fëmijë që të lindë një fëmijë. Mosha më e bukur e fertilitetit është rreth moshës 19-25 vjeç. Megjithatë, tani shumë gra që duan të bëjnë karrierë, e shtyjnë deri në moshën 32-33-34 vjeç që të lindin fëmijën e parë. Këto quhen shtatzëni në moshë shumë të vogël, të cilat janë shumë të vështira.
Ka shumë raste?
Rastet kanë filluar të rrallohen. Ka dhe grupe sociale të ndryshme që nuk e kanë problem lindjen në moshën 14 vjeçare.
Pas moshës 30 vjeç?
Fillon të ulet aftësia për t’u fertilizuar. Prandaj këto grupmosha kërkojnë trajtim nga mjekët gjinekolog para se të lindin fëmijën.
Dua të ngre një problem për ato gra që duan të konceptojnë një fëmijë. Flitet me zë të lartë këshillimi parakoncepsional. Që do të thotë të bësh një grup ekzaminimesh dhe analizash, mbas një vizite gjinekologjike, ku do të vlerësohet shëndeti riprodhues i femrës dhe I mashkullit.
Ju drejtohem grave: Nëse ju dëshironi një ecuri të mbarë të shtatzënisë suaj, duhet patjetër të bëni këshillimin parakoncepsional. Unë këtë e kam të vlerësuar dhe të ngritur jo vetëm sot.
Sa bashkëpunues janë meshkujt?
Ka ndryshuar mentaliteti. Nëse më parë gratë shoqëroheshin nga vjehrrat ose mamatë për të bërë vizitën gjinekologjike, sot në shumicën e rasteve i shoqërojnë bashkëshortët. Nuk është më tabu vizita gjinekologjike. Vijnë dhe vlerësojnë veten e tyre. Ka një ulje shumë të madhe të mentalitetit mashkullor për të shoqëruar gruan te mjeku gjinekolog.

Leave a Reply