Marrëdhënie seksuale në mosha të reja, adoleshentët rrëfejnë eksperiencat e tyre
“Brezi jonë e konsideron seksin si diçka që thjesht duhet bërë! Në grupin tonë, nga 8 vajza, 4 janë të lidhura, ndërsa djemtë, pjesa më e madhe kanë pasur “partnere seksuale” vetëm për një natë, dhe gjithmonë me femra më të mëdha.’’
Studime të shumta, por dhe vetë gjinekologët, kanë pranuar vazhdimisht se aktiviteti seksual tek adoleshentët po nis gjithnjë e më herët, që 12-13 vjeç, pa menduar pasojat fizike e psikologjike.
Por, si e konceptojnë vetë adoleshentët, çdo të thotë për ta seks në moshë të vogël, sa i njohin metodat mbrojtëse dhe sa ndikon presioni i shoqërisë për të mos qenë “jashtë mode” drejt ndërmarrjes së një veprimi të tillë.
Të gjitha këto i rrëfen A.Xh, maturante në një prej gjimnazeve më të mëdha të Tiranës, e cila pranon të flasë hapur për “Jo Tabu”, duke sjellë detaje nga ajo që quhet “ jeta seksuale e një adoleshenti”, ndonëse vetë e konsideron si diçka të gabuar, nisur nga eksperiencat e shoqeve të saj.
Më thatë që jeni 17 vjeç. Do doja të dija nëse keni qenë ndonjëherë e lidhur dhe nëse po, në ç’moshë e keni pasur lidhjen e parë?
Lidhjen e parë e kam pasur në klasën e VIII, nuk zgjati shumë, vetëm tri ditë. Ishte ajo koha kur më kishte ardhur dhe cikli menstrual dhe kishin filluar këto ngacmimet, pëlqimet e para për djemtë. Gjithsej kam pasur 4-5 lidhje, por asnjëra nuk ka zgjatur më shumë se 1 muaj.
Po kontaktin e parë seksual?
Nuk kam pasur dhe nuk mendoj të kem gjersa unë të ndiej që jam gati, si nga ana fizike ashtu dhe ajo mendore e psikologjike. Nuk mendoj se do të kem dhe për 2-3 vjet, megjithëse janë gjëra që nuk parashikohen, por me mendjen time unë vlerësoj se tani nuk është koha e duhur.
Megjithëse vendimi yt të çon në një logjikë të qartë, ti vetë si i shikon këto lidhjet e hershme, që në 8-vjeçare, ku adoleshentët e konsumojnë një lidhje në të gjitha aspektet?
Në fakt brezi jonë, por edhe ata më të vegjël se ne, e konsiderojnë seksin si diçka që thjesht duhet bërë. Nuk e mendojnë faktin që trupi dhe organet gjenitale nuk janë formuar/ pjekur ende, duke mos i menduar dhe pasojat.
Sigurisht për moshën tonë unë nuk e mendoj si diçka të mirë. Ndonjëherë dhe mbrojtëset që mendojmë se na mbrojnë, nuk mbrojnë sa duhet, duke hequr mënjanë mentalitetin, them se ka dhe pasoja psikologjike.
Unë kam një shoqe e cila është moshatare me mua dhe ka kryer marrëdhënie që kur ka qenë 15-16 vjeç, në mos gaboj. Para kësaj ajo ishte shumë vajzë e mirë, shumë e qetë dhe e urtë, tani është bërë bipolare. Në një moment e ke duke qeshur, në një moment tjetër shpërthen dhe ti nuk e kupton se si duhet të sillesh më të.
A jeni të njohur me metodat mbrojtëse, kur dhe si duhen përdorur?
Po, jemi njohur me to që në klasë të VII, pra që kur mësuam për fizionominë e trupit, si zhvillohen organet, na kanë folur dhe për masat mbrojtëse çfarë janë, si përdoren dhe efektet pozitive.
Sa vajza dhe djem jeni në grupin tuaj shoqëror dhe sa prej tyre janë të lidhur?
Në grupin tonë ne jemi 8 vajza, 4 nga të cilat janë të lidhura. Ndërsa çunat (5) janë thuajse të gjithë të lidhur, përveç njërit. Nga përshtypja që unë kam krijuar, mendoj se meshkujt nuk e shohin një femër më shumë se një objekt seksual, flas për moshën tonë, dhe nga ato që na thonë. Sa të kalojnë atë fazën që ata duan, pra raportin seksual, pastaj mund të bëjnë çfarë të duan. Pra interesi është vetëm marrëdhënia seksuale.
Po shoqet e tua, kur e kanë pasur raportin e parë seksual?
Me aq sa di unë, asnjëra nga shoqet e mia, pavarësisht se janë në lidhje dhe kanë kaluar disa lidhje, asnjëra nuk ka arritur deri aty sa të kryej marrëdhënie seksuale, përveç asaj që e kam në lagje. Ndërsa shokët besoj nga mosha 14-15, por që marrëdhëniet e para i kanë pasur me femra më të mëdha, ndërsa lidhjet me moshatare.
Pse me femra më të mëdha?
Pjesa më e madhe e atyre që njoh unë e kanë bërë vetëm për një natë dhe më pas kanë shkëputur çdo lloj marrëdhënie, por gjithmonë me femra më të mëdha se mosha e tyre. Nuk është se ma kanë thënë pse, por që ndoshta ngaqë femrat e mëdha kanë më shumë eksperiencë dhe ndoshta ne të voglat s’ju dukemi të përshtatshme për herën e parë.
Di ndonjë rast të grupmoshës tënde që të ketë ngelur shtatzënë apo të jetë infektuar me sëmundje seksualisht të transmetueshme?
Nuk kam dëgjuar, por besoj se qendra e Tiranës nuk i ka këto probleme, pasi jemi të mirinformuar qoftë për metodat mbrojtëse, qoftë për sëmundjet seksualisht të transmetueshme.
Ke dëgjuar ndonjë rast kur shoqeve të tua i është dashur të marrin pilulën e urgjencës?
Nga shoqet jo, por më ka ndodhur njëherë që kam vajtur për një të afërmen time në farmaci të merrja një test shtatzënie dhe jam përballur me një situatë paksa gjykuese nga farmacistja, e cila më pa çuditshëm dhe më tha “Për vete e do?”.
Ke qenë ndonjëherë për kontroll tek gjinekologu?
Po, për herë të parë kam shkuar vjet. Në fakt kisha një problem shëndetësor me apendicitin, por që dyshohej mos kisha edhe ndonjë cist në vezore. Ishte pak e sikletshme, por që unë mendoj se çdo femër të paktën një herë në vit duhet të shkoj tek gjinekologu, qoftë dhe për një kontroll rutinë.
Po nga shoqet/ shokët e tu, ke dëgjuar që të shkojnë, qoftë dhe për të marrë këshilla apo prezervativ falas?
Jo nuk di. Por kur unë isha tek gjinekologia ime, sigurisht më dha dhe shumë këshilla sit ë kujdesesha gjatë ditëve të ciklit, që të mos përdorja qetësues dhe të mundohesha t’i duroja dhimbjet pasi kanë efekte anësore etj.
Çfarë do i këshilloje moshatarëve të tu?
Pavarësisht tendencës, duke lënë mënjanë dhe mentalitetin, unë mendoj se hera e parë për një femër duhet të jetë vetëm atëherë kur ajo ndjehet gati fizikisht dhe mendërisht, dhe sigurisht me personin e duhur në krah. Sigurisht nuk është e lehtë në moshën tonë, apo në kohën që jetojmë mos të tundohesh për ‘’gabime” të tilla, por një femër e fortë dhe me synime të qarta, e jeton jetën ashtu si duhet dhe atëherë kur duhet.
Në fakt të pasurit sa më shumë partner, sot është bërë tendencë mes të rinjve. Ti vetë e ndjen atë presionin e shoqërisë për të mos qenë ‘’jashtë mode”?
Po në fakt, sot të pyesin me sa veta je lidhur, jo në ke pasur ndonjë lidhje, dhe më pas dhe të gjykojnë se çfarë njeriu je. Megjithatë, edhe pse unë e konceptoj si diçka të gabuar në moshën tonë, e lidhur ose jo, me një apo disa partner, përsëri gjithsecili bën atë që ndjen dhe ashtu si e ndjen. Për mua gjer tani prioritet kanë pasur mësimet dhe jam e lumtur që po i finalizoj me sukses, shpresoj kështu të jem dhe në fakultet, me këto ide që kam tani, sepse më pëlqen ta shijoj jetën ashtu si të vij, por pa pendime më pas.

Leave a Reply