Alarmi i shoqatave të shëndetit seksual, thirrje qeverisë në Mbretërinë e Bashkuar merren me parandalimin e IST
Probleme me politikat e strategjitë kundër përhapjes së IST-ve nuk ka vetëm vendi ynë por edhe Mbretëria e Bashkuar, e cila ka shfaqur një rritje të infeksioneve vitet e fundit.
Shoqatat e bamirësisë së shëndetit seksual po i kërkojnë qeverisë të ndërmarrë veprime kundër numrit të infeksioneve seksualisht të transmetueshme (IST) në Mbretërinë e Bashkuar.
Thirrja vjen si pjesë e një raporti të ri nga Terrence Higgins Trust dhe British Association for Sexual Health & HIV (BASHH) i cili thekson se nivelet e IST janë “në lartësi të papranueshme” në vend.
Sipas raportit “State of the Nation” ka pasur 447,694 raste të reja të IST-ve në vitin 2018 një rritje prej pesë përqind nga një vit më parë.
Në mënyrë të ngjashme, IST-të e zakonshme përfshirë klamidian, herpesin dhe gonorrean janë në rritje, ndërkaq sipas raportit diagnozat e sifilizit janë në nivelin më të lartë të tyre që nga Lufta e Dytë Botërore.
Gjatë dekadës së fundit, shifrat tregojnë se gonorreja është rritur 249 përqind dhe sifilisi 165 përqind, ndërsa normat e klamidisë janë rritur me gjashtë përqind në 2018.
Trichomoniasis është IST-ja më pak e zakonshme, megjithatë që nga viti 2017 ka pasur tetë përqind dhe 91 përqind rritje te rasteve të reja të diagnostifikuara.
Raporti bëri fajtor për këto rritje mungesën e strategjisë kombëtare dhe faktin që shpenzimet për shërbime të shëndetit seksual janë shkurtuar me një çerek nga viti 2014.
Autorët gjithashtu identifikuan sfidat rreth rezistencës antimikrobike, për të cilën thuhet se po kërcënojnë trajtimin efektiv të një numri të IST-ve.
Mbretëria e Bashkuar pa tre raste të gonorresë gjerësisht rezistente ndaj ilaçeve (XDR-DG) që shfaqen në vitin 2018.
“Mungesa e qartë e vizionit në Angli për trajtimin e këtyre IST-ve dhe kërcënimin që ata paraqesin, si dhe gatishmërinë për t’i dhënë përparësi kësaj, nuk bën pak për të luftuar shqetësimin në rritje”, kanë shkruar autorët.
Të rinjtë e moshës 15-24 vjeç përfaqësuan gati gjysmën (48 përqind) të të gjitha diagnozave të IST-së në vitin 2018, konstatohet në raport, ndërsa diagnozat te burrat dhe gratë mbi moshën 65 vjeç janë rritur gati një e katërta (23 përqind) nga viti 2014.
Dr John McSorley: “Vitet e shkurtimit të fondeve nga qeveria dhe çrregullimi i shkaktuar nga strukturat e fragmentuara të komisioneve kanë bërë presione të jashtëzakonshme në shërbimet e shëndetit seksual në këtë vend.
Në një kohë kur ne po shohim një rritje të ndjeshme të kërkesës nga publiku dhe nivele rekord të infeksionit seksual, duke përfshirë përhapjen e llojeve të sëmundjeve rezistente ndaj antibiotikëve, vendimi për të investuar kaq pak në këtë zonë jetësore të shëndetit është i pakuptimtë”.
Jonathan McShane, kryetari i Terrence Higgins Trust, u pajtua duke shtuar se qeveria duhet të ndërmarrë “veprim gjithëpërfshirëse” për të ndaluar “rritjen e valëve të IST”.
“Duhet të ketë një qasje afatgjatë për të përmirësuar shëndetin seksual”, tha McShane.
“Një strategji ambicioze, e shoqëruar me financimin e duhur, është mënyra e vetme që mund t’i mbështesim njerëzit që të kenë jetë seksuale të shëndetshme dhe plotësuese.
Qeveria duhet të mbështjellë mëngët e saj dhe të shkojë në punë sepse gjendja aktuale e kombit thjesht nuk është aq e mirë sa duhet”.
Organizatat po i bëjnë thirrje qeverisë që të zbatojë me urgjencë një strategji dhe fonde të reja për shëndetin seksual për të zvogëluar presionin ndaj shërbimeve në të gjithë vendin dhe të trajtojë kërcënimin e IST-ve rezistente ndaj ilaçeve.
Autorët tregojnë se ka pasur sukses në uljen e disa diagnozave, veçanërisht në lidhje me HIV dhe lythat gjenitale.
Rastet e lythave gjenitale kanë rënë me tre përqind që nga viti 2017, ndërsa në vitin 2018, në Angli kishte pak më shumë se 4,000 diagnoza të reja HIV (4,044) – një rënie prej gjashtë përqind nga një vit më parë.

Leave a Reply