Jo tabu, edukimi seksual në shkolla
Edukimi seksual dhe riprodhues gjithëpërfshirës ka qenë tema e rradhës e trajtuar në rubrikën “Jo tabu”, një kuiz argëtues dhe edukues mbi shëndetin seksual dhe riprodhues në emisionin “Trokit” në INtv.
Të ftuara në këtë puntatë për të folur për këtë temë kanë qenë Edlira Sina eksperte edukimi në Agjensinë e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar si dhe Elsona Agolli analiste e programit të UNFPA për çështje gjinore. Përfshirja e edukimit shëndetësor me fokus edukimin seksual në kurrikulat shkollore është shumë i rëndësishëm dhe vitet e fundit kemi pasur progres në këtë fushë sipas të ftuarave.
“Për të folur për edukimin shëndetësor me fokus edukimin seksual si aftësi për jetën, nuk është hera e para që po flitet ndër këto vite. Mund të themi që ka filluar që në vitet 90 dhe ndoshta ti je ai brez. Këto 5 vitet e fundit është më inkuadruar dhe më specifik me emrin e edukimit seksual. Kemi bërë hapa të ngadaltë dhe të sigurt. Mund të them me krenari që mund të jemi ndër më të mirët në rajon sa i takon zhvillimit të edukimit shëndetësor në kurrikulat shkollore. Edhe falë UNFPA që ka qenë një mbështetje shumë e rëndësishme.
Kur menduam se çfarë do bënim për edukimin shëndetësor, me fokus edukimin seksual në gjimnaz, menduam që të ishte një lëndë me zgjedhje. Edhe thamë që shumë të rinj do ta zgjidhnin por ndodhi që jo shumë të rinj e zgjodhën. Duhet të bëjmë më shumë publicitet e të themi që ta zgjedhin këtë lëndë”, thotë ndër të tjera Sina.
Ndërkaq analistja e programit të UNFPA Elsona Agolli ka folur për bashkëpunimin e UNFPA me institucionet në vend për të edukuar dhe thyer tabu që ekzistojnë në shoqërinë tonë sa herë flitet për një temë të tillë. “Institucionet kanë qenë shumë mbështetëse dhe kjo ka bërë që Shqipëria në rajon është një ndër vendet që ka avancuar shumë pikërisht me këtë komponent. Ne e kemi paraqitur si praktikë të mirë madje kemi kërkesa edhe kërkesa nga vendet e ballkanit perënsimor për të marrë nga Shqipëria mënyrën si ne kemi arritur të futemi në sistemin arsimor. Por një gjë tjetër shumë e rëndësishme është që edukimi seksual gjithëpërfshirës nuk është vetëm e drejtë e të rinjve dhe fëmijëve që shkojnë në shkollë. Ajo është një e drejtë, pra e drejta për informim i takon të gjithë popullsisë dhe është e drejtë njerëzore. Prandaj dhe i përmenda dhe aktorët e tjerë të rëndësishëm siç janë të rinj të mirë të edukuar dhe informuar por dhe shoqëria civile, insitucione si ju që arrijnë ta çojnë informacionin edhe atje ku shkolla nuk mund të futet”, thotë ndër të tjera Agolli. #UNFPA
Powered by Embed YouTube Video

Leave a Reply