Infeksionet seksualisht të transmetueshme prekin të rinjtë shqiptarë
Infeksionet seksualisht të transmetueshme po kthehen në një shqetësim mbarëbotëror.
Sipas OBSH-së, çdo ditë verifikohen më shumë se një milion raste të reja të të prekurve nga infeksionet seksualisht të transmetueshme. 4 infeksionet më të përhapura janë klamidia, gonorrea, trikomoniaza dhe sifilizi, ku të dhënat e publikuara së fundmi nga OBSH tregojnë se 1 në çdo 25 njerëz në të gjithë botën janë të prekur nga të paktën një nga këto IST.
Shqipëria fatkeqësisht nuk ka shifra të sakta, por mjekët infeksionistë japin alarmin se infeksionet seksualisht të transmetueshme hasen dhe në mosha të vogla, madje dhe tek 12-vjeçarë.
I pyetur nga TV Klan, Dr. Pëllumb Pipero, mjek infeksionit, thotë: Nuk është çudi që pas kësaj moshe ta hasim në vijimësi deri tek 70-vjeçarët. E them me keqardhje sepse edhe në Shqipëri kemi shumë vajza apo djem që hyjnë në marrëdhënie seksuale para moshës 13 apo 14 vjeç.
Lista e këtyre sëmundjeve është e gjatë, e po ashtu edhe faktorët janë disa. “Kemi marrëdhënie të pambrojtura, marrëdhënie rastësore, etj. Dhe nuk kemi kulturën që të shkojmë te mjeku kur kryejmë një marrëdhënie risku.”
Psikologet shohin me shqetësim përfshirjen e të miturve në marrëdhënie seksuale të hershme, ndërsa fajësojnë të rriturit edhe për faktin e mos trajtimit në kohë të problemit.
Enetela Binjaku, psikologe: Hezitimi për të shkuar tek mjeku është një model, të miturit imitojnë të rriturit. Nga ana tjetër kjo tregon se brezat nuk komunikojnë si duhet, do të thotë se ai nuk ka pasur me kë ta ndajë shqetësimin që ka ndjerë me trupin e tij.
Vitet e fundit është rikthyer edhe sifilizi ,që sipas mjekëve konsiderohej një sëmundje e harruar. Aktualisht në shërbimin infektiv po trajtohen 100 persona të prekur prej tij, ndërsa HIV Aids-i, një tjetër infeksion seksualisht i transmetueshëm numëron me shume se 1200 të prekur që prej shfaqjes së rastit të parë në vitin 1992.

Leave a Reply