Zëri i të Rinjve: Njihuni me Lubjana Prençi
Bisedoi: Blertina Koka
Lubjana Prençi vazhdon studimet për Administrim dhe Politika Sociale pranë Fakultetit të Shkencave Sociale. Lektorët e këtij fakulteti tejçuan tek ajo kulturën e vullnetarizmit, duke e veshur me shembuj suksesi. Kaq mjaftoi që ajo të angazhohej vullnetarisht në disa nisma të ndërmarra si nga Bashkia Tiranë, ashtu edhe nga OJF të ndryshme, si Qendra ASET, Qendra për Popullsinë në Zhvillim, Code Albania, Green Line Albania etj.
Paralelisht ajo punon edhe si gazetare në një media online dhe artin e të shkruarit e ka përdorur gjithmonë në funksion të promovimit të aktiviteteve të organizuara nga të rinjtë dhe për të rinjtë, duke i trajtuar si një shembull pozitiv në shoqëri.
Me një gjuhë komunikimi shumë të thjeshtë ajo përcjell edhe mesazhin për të rinjtë për t’u bërë pjesë e vullnetarizmit: Përdoreni kohën e lirë për diçka të vlefshme për shoqërinë. Bëhuni pjesë e ndryshimit dhe sensibilizimit të qytetarëve. Nëse nuk e bëjnë të rinjtë, kush do ta bëjë?
Për rubrikën “Zëri i të Rinjve” për Jo Tabu, realizuar nga shoqata Together for Life me mbështetjen e UNFPA Albania, Lubjana flet më shumë për përfshirjen e saj në shoqërinë civile si vullnetare, eksperiencat që ka fituar dhe çfarë duhet bërë për promovimin e vullnetarizmit si një eksperiencë pozitive për të rinjtë.
Një prezantim për të gjithë ata që s’të njohin…
Jam Lubjana Prençi, studioj pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, aktualisht viti i tretë Bachelor për Administrim dhe Politika Sociale. Paralelisht jam gazetare në një media online.
Jam angazhuar vullnetarisht pranë Bashkisë së Tiranës, Green Line Albania, “Qendra Rinore e Tiranës”, Qendra “ASET”, Qendra për Popullsinë në Zhvillim”, Code Albania, etj.
Të jesh vullnetare dhe “Zëri i të Rinjve”…si do ta përshkruash këtë eksperiencë?
Përfshirja në grupet vullnetare për mua ka qenë një eksperiencë unike, e orientuar drejt disa target-grupeve dhe në role të ndryshme, si në atë organizativ, ashtu edhe pjesëmarrës në atë që të tjerët kanë ideuar. Kënaqësia dhe vetëpërmbushja personale është në të dyja rastet, normalisht.
Gjithashtu do të theksoja se personalisht vullnetarizmin e konsideroj si një eksperiencë plotësuese në procesin e studimeve universitare.
Çfarë të nxiti/inkurajoi që të bëhesh pjesë e shoqërisë civile si vullnetare: Vullnetarizmi, eksperiencat që fiton apo trajnimet që ofrohen nga organizata.
Dëshira dhe vullneti i mirë për të ndihmuar të tjerët asnjëherë nuk më ka munguar, por mund të them që në mjedisin e Fakultetit ku studioj, mora një koncept tjetër për vullnetarizmin.
Kjo patjetër meritë e lektorëve, të cilët arritën të tejçonin tek unë kulturën e vullnetarizmit, duke e “veshur” atë me shembuj suksesi.
Kaq mjaftoi që përfshirja në organizata dhe trajnime të ndryshme të ishte një proces pothuajse rutinor dhe progresiv, çka është më e rëndësishmja.
Mjedisi mikpritës dhe trajtimi i vullnetarëve si një aset i rëndësishëm i shoqërisë ishte një “katalizator” i fuqishëm në kontributin që unë kam dhënë.
A mendon se ka qenë “shpërblyese” përfshirja jote si vullnetare? Si do ta vlerësoje këtë eksperiencë?
Shpërblimin për vullnetarizmin që kam realizuar e kam marrë në disa faza.
Së pari ka qenë ndjesia e vetëpërmbushjes emocionale, pasi ndikon pozitivisht në mirëqenien e një target grupi të ndryshëm të shoqërisë, madje aq sa më i lartë vulnerabiliteti i tij, aq më e madhe kënaqësia nga puna altruiste.
Por shpërblimin e kam marrë edhe në formën e certifikimit për pjesëmarrjen në trajnime apo projekte të ndryshme, në zgjerimin e networkut, socializimi me njerëz të rinj, njohja e mjediseve shumë interesante etj.
Tashmë agjenda e ngjeshur nuk më lejon që përfshirja ime në aktivitetet vullnetare të jetë me frekuencë aq të shpeshtë, por si një gazetare që mbulon fushën e aktualitetit, kryesisht atë social, mundohem që të jem “zëri” i aktiviteteve të të rinjve, duke i trajtuar si një shembull pozitiv në shoqëri.
Si perceptohet në përgjithësi nga të rinjtë “vullnetarizmi” apo “të punosh si vullnetar” (pozitivisht apo negativisht)?
Gjithnjë e më tepër vullnetarizmi po shihet më seriozisht dhe po merr përmasa më masive në përfshirjen dhe angazhimin e të rinjve.
Tashmë vullnetarizmi nuk shihet vetëm në kontekstin e diçkaje pa pagesë, por merren në konsideratë edhe përfitimet sociale që ai sjell.
Sa të interesuar i sheh të rinjtë nga qyteti yt për t’u përfshirë në nismat humanitare si vullnetar?
Të paktën studentët që janë nga Shkencat Sociale janë më sensitivë tek përfshirja në çështjet e vullnetarizmit.
Por ndihem mirë kur shikoj edhe gjimnazistët aq energjikë dhe të aftë për të menaxhuar kohën, duke i dhënë prioritet edhe vullnetarizmit.
Qendra Rinore e Tiranës është aq e suksesshme në aktivitetet që bën, dhe kjo vjen kryesisht nga gjimnazistët energjikë dhe pozitivë që angazhohen aty.
A do t’i inkurajoje të rinjtë e tjerë të bëhen pjesë e vullnetarizmit? Çfarë këshille do t’iu jepje?
Normalisht që do t’i inkurajoja. Ta përdorin kohën e tyre të lirë për diçka të vlefshme për shoqërinë. Të bëhen pjesë e ndryshimit dhe sensibilizimit të qytetarëve.
Nëse nuk e bëjnë të rinjtë, kush do ta bëjë?
Do të dëshiroja që mesazhin për të rinjtë në lidhje më vullnetarizmin, ta përcillja me një gjuhë komunikimi shumë të thjeshtë: Përgjysmoje kohën e qëndrimit në kafene dhe shfrytëzoje atë për të bërë diçka pozitive në shoqëri.
Çfarë këshille do t’i jepje një organizate që po kërkon të marrë të rinj si vullnetar? Çfarë duhet bërë për promovimin e vullnetarizmin si një eksperiencë pozitive/e dobishme për të rinjtë?
Në fakt, organizatat jofitimprurëse janë sofistikuar shumë në aspektin e strategjive dhe taktikave për të tërhequr vullnetarët.
Ndër të tjera vlerësoj pjesën e certifikimit në aktivitete të ndryshme.
Duhet bërë më shumë? Patjetër.
Gjithsesi, për kulturën e vullnetarizmit në Shqipëri, mendoj se jemi në një nivel relativisht të mirë.

Leave a Reply