“Çfarë kishe veshur?” Instalacion arti i të mbijetuarave të përdhunimit
Blertina Koka, Shoqata Together for Life
Një uniformë shkolle. Bluzë dhe xhinse. Fustanin e mbrëmjes së maturës. Këto ishin vetëm disa nga rrobat që gratë dhe vajzat kishin veshur kur u abuzuan seksualisht.
Një instilacion arti me temë “Çfarë kishe veshur”, shoqëruar me histori të të mbijetuarave, është çelur në rezidencën studentore universitare në Tiranë.
UnWomen në Shqipëri e sjell këtë ekspozitë si një mënyrë për t’i dhënë përgjigje fajësimit të viktimave, si një nga fenomenet më të shpeshta të kulturës së përdhunimit në shoqëria.
Veshjet e paraqitura në ekspozitë janë rikrijuar nga tregimet e studenteve të mbijetuara të përdhunimit.
“Fustanin e mbrëmjes së maturës. Nuk e di nëse kjo kërkon më shumë shpjegime…”, rrëfen një studente.
“Bluzë dhe xhinse. Më ka ndodhur tri herë gjatë jetës sime dhe nga tre njerëz të ndryshëm. Çdo herë kisha veshur bluzë dhe xhinse.”
“Veshja ushtarake dhe kisha një armë. Që nuk më hyri në punë fare për ta parandaluar atë gjë.”
“Këmishë xhins, xhinse dhe këpucë të sheshta. Të gjithë duken kaq të paqartë kur u them këtë gjë. Sikur nuk e kuptojnë çfarë po them. Ata nuk e kuptojnë çfarë kisha veshur. Është pothuaj qesharake. Pothuajse.”
Një ndër dy gra në Shqipëri kanë përjetuar një formë dhune, 8,6 % janë dhunuar seksualisht. Dhuna seksuale është forma e tretë më e përhapur e dhunës e përjetuar nga vajzat dhe gratë, që lë shenja të rënda në jetët e tyre.
Pjesa më tronditëse dhe më e trishtueshme është se dhuna me bazë gjinore më së shpeshti ndodh brenda shtëpive dhe familjeve – vendi ku duhet të ndjehemi më të sigurt se kudo.
“Isha me uniformën e shkollës. Njerku më ngacmonte seksualisht ndonjëherë kur kthehesha nga shkolla derisa mami vinte nga puna. Më vonë, kur i dashuri im më përdhunoi në kolegj, kisha veshur xhinse dhe një bluzë. Sapo ishim kthyer nga një ndeshje futbolli”, është një tjetër rrëfim.
“Fatkeqësisht dhuna ndaj grave, duke përfshirë abuzimin seksual dhe përdhunimin, është ende një pandemi në të gjithë botën. Në Shqipëri 1 në 2 gra ka rënë viktimë e të paktën një formë dhune. 2 në 10 nga këto gra janë viktima të ngacmimit seksual dhe 1 në 10 viktima të abuzimit seksual”, u shpreh Michele Ribotta , përfaqësues i UN Women në Shqipëri, në çeljen e ekspozitës.
Shumë shpesh këto krime të tmerrshme kalojnë pa u vënë re – mbeten të padukshme dhe të pa raportuara. Dhe ciklet e dhunës vazhdojnë të lulëzojnë, në heshtje, në qoshet më të errëta të shoqërisë sonë.
“Është shumë e rëndësishme që të gjejmë të gjitha mënyrat e mundura për të thyer heshtjen. Instalacioni i sotëm na kujton se është shumë e vështirë për viktimat e dhunës seksuale të flasin për çfarë u ka ndodhur. Nëse vazhdojmë të bëjmë pyetje të panevojshme dhe absurde si “ku ishe”, “çfarë po bëje” dhe ajo që bëhet më shpesh “çfarë kishe veshur”, do të jetë edhe më e vështirë për këto viktima që të flasin. Kështu, nëse duam të “thyejmë heshtjen”, duhet të ndalojmë së bëri këto pyetje”, shtoi z. Ribotta.
Ekspozita “Çfarë kishe veshur” u organizua si pjesë e fushatës 16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave, çelur në Ditën Kundër Dhunës së Grave, 25 nëntor , dhe do të zgjasë deri në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, 10 dhjetor.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, UNDP, UN Women Albania dhe UNFPA, me mbështetjen e Ambasadës Suedeze çelën sot fushatën kombëtare për të nxitur një lëvizje të guximshme kundër dhunës dhe pro dritës e shpresës./ JoTabu.al

Leave a Reply