Bota ka nevojë për antibiotikë, por ato nuk janë karamele
Sot, rritja e rezistencës ndaj antibiotikëve është një problem global. Mënyra e duhur e përdorimit të antibiotikëve është çelës për të ulur rezistencën ndaj ilaçeve.
Në vazhdim të aktiviteteve për Javën Botërore të Ndërgjegjësimit për Antibiotikët, Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë organizoi sot Konferencën “Bota ka nevojë për antibiotikë, por ato nuk janë karamele”.
Farmacistë, mjekë dhe specialistë të Shëndetit Publik dhanë mesazhet e tyre për efektet negative që sjell abuzimi me antibiotikët dhe për parandalimin e fenomenit të rezistencës ndaj antibiotikëve.
Fjalën përshëndetëse në këtë aktivitet e mbajti Diana Toma, e cila u shpreh:
“Dua që kjo konferencë të mos hapet me mesazhet që japim ne, që aktualisht e prekim eksperiencën brenda sistemit shëndetësor, por është bukur ta hapim këtë konferencë me mesazhet plot kuptim që na jep brezi i ardhshëm i profesionistëve, i studentëve të Departamentit të Farmacisë pranë Universitetit të Mjeksisë”.
“Konferenca e sotme organizohet nga Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë sepse janë pikërisht farmacistët pika fundore e administrimit të antibiotikëve. Por pjesmarrës janë mjekë, farmacistë dhe më gjërë, duke përfshirë të tëra hallakt që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me përshkrimin, administrimin dhe menaxhimin e barnave”.
“Farmacisti rekomandon, merr pjesë në vendosjen e diagnozave, kontrollon, administron dhe parandalon. Secili prej nesh, në mënyrën e tij mund të kontribuojë në mënyrë që ky fenomen që sot po tremb botën mjekësore mbase të minimizohet”.
Më tej Toma shtoi se, “e veçanta e kësaj jave sensibilizuese qëndron tek fakti se grupmosha që u përzgjodh për t’u mirëinformuar nuk ishte ajo adulte, por fëmijë të kopshtve dhe të shkollave. Kjo është një filozofi shumë e bukur, shumë e gjetur pasi të parandalosh është më mirë se sa të kurosh. Por që të parandalosh duhet të dish, e ku ka më bukur se sa konceptet e dijes të rrënjosen dhe të rriten bashkë me individin. Në të ardhmen ky kontigjent do të jetë një brez sigurie për të administruar antibiotikët”.


Leave a Reply