Dita Botërore e Kontracepsionit – 26 shtator 2019
26 SHTATOR 2019
DITA BOTËRORE E KONTRACEPSIONIT
Dita Botërore e Kontracepsionit është një fushatë globale që organizohet çdo vit më 26 shtator, që prej vitit 2007. Qëllimi i kësaj fushate vjetore është të rrisë ndërgjegjësimin mbi kontracepsionin, si dhe të mundësojë që çdokush të bëjë zgjedhje të informuara për shëndetin e tij seksual dhe riprodhues.
Motoja e Ditës Botërore të Kontracepsionit- “Është jeta juaj, është përgjegjësia juaj” , inkurajon përdorimin e kontracepsionit për parandalimin e shtatzënive të paplanifikuara dhe infeksioneve seksualisht të transmetueshme.
Disa fakte kryesore mbi Planifikimin familjar/Kontracepsionin
Më 30 shtator 2016, numri i popullsisë globale ishte 7.342.686.578. Edhe duke supozuar se nivelet e lindjeve do të vazhdojnë të bien, popullsia globale pritet të arrijë në 8.6 miliardë në vitin 2030, në 9.8 miliardë në vitin 2050 dhe 11.2 miliardë në vitin 2100.
Është vlerësuar se rreth 30% e rritjes së popullsisë në botë (28 milionë lindje) ndodh për shkak të shtatzënive të padëshiruara ose aksidentale, kryesisht për shkak të mungesës së informacionit bazë mbi riprodhimin seksual.
214 milionë gra të moshës riprodhuese në vendet në zhvillim do të donin të shmangnin shtatzëninë, por ndërkohë ato nuk përdorin asnjë metodë kontraceptive.
Çdo vit,në të gjithë botën, rreth 41% e shtatzënive janë tëpadëshiruara dhe më shumë se gjysma e tyre përfundojnë në abort.
Këto ndodhin te femrat që nuk përdorin asnjë metodë kontraceptive ose nga përdorimi jo i duhur i tyre; shpesh për shkak të mungesës së njohurive mbi kontraceptivët.
Disa metoda të planifikimit familjar si p.sh. kondomi, ndihmojnë edhe në parandalimin e transmetimit të HIV-it dhe infeksioneve të tjera seksualisht të transmetueshme.
Planifikimi familjar përforcon të drejtat e njeriut për të përcaktuar numrin e fëmijëve të dëshiruar dhe hapësirën nga njëra lindje tek tjetra.
Duke parandaluar shtatzëninë e padëshiruar, planifikimi familjar/ kontracepsioni parandalon vdekjen e nënave dhe fëmijëve.

Leave a Reply