Ënjtja e duarve dhe këmbëve gjatë shtatzënisë, komplikacionet
Dr. Sabjan Memishaj, mjek kardiokirurg
Pre-eklampsia është një gjendje gjatë shtatzënisë ku kemi rritje të menjëhershme të tensionit dhe ënjtje të fytyrës, të duarve dhe të këmbëve.
Kjo është situatë më e shpeshtë gjatë shtatzënisë. Ajo zakonisht ndodh gjatë tremujorit të tretë të shtatzënisë. Nëse kjo sëmundje mbetet e pa trajtuar, mund të çojë në eklampsi, një situatë e rrezikshme për jetën gjatë së cilës mund të përjetoni: konvulsione , koma dhe mund të ndodhë dhe humbja e jetës.
Fakte për pre-eklampsia
- Pre-eklampsia prek afërsisht 5% të shtatzënive.
- Nëse nuk trajtohet ajo çon në eklampsi: një gjendje jetë-kërcënuese.
- Shkaku i pre-eklampsisë nuk dihet me saktësi por mendohet se lidhet me enët e gjakut të placentës.
- Disa studime tregojnë që kjo sëmundje ka komponent gjenetik.
- Duke u bazuar në një studim, ndotja e mjedisit mund të shkaktojë pre-eklampsi.
Shenjat
Mund të mos ketë asnjë shenjë, megjithatë shenjat e para janë:
- Presioni i lartë i gjakut
- Prezenca e proteinave në urinë (proteinuria)
Në shumicën e rasteve kjo shenjë nuk do të vihet re nga femrat dhe do të gjendet vetëm gjatë kontrollit rutine prenatal.
Megjithëse 6 deri në 8% e femrave shtatzënë përjetojnë tension të lartë të gjakut, kjo gjë nuk do të thotë që kanë pre-eklampsi. Shenja më kryesore është prezenca e proteinave në urinë.
Kur pre-eklampsia përparon, femrat mund të kenë mbajtje të lëngjeve në organizëm (edema), me ënjtje të duarve, të këmbëve dhe të fytyrës.
Enjtja është një pjesë normale e shtatzënisë zakonisht trimestrin e tretë dhe tenton të ndodhë zakonisht në pjesët e poshtme të organizmit, si tek: gjunjët dhe tek këmbët. Shenjat zakonisht janë të lehta në mëngjes dhe vijnë duke u shtuar gjatë ditës.
Kjo gjë nuk është pre-eklampsi në të cilën edema ndodh menjëherë dhe tenton të jetë më e rëndë.
Më vonë mund të shfaqen shenjat e tjera:
- Shikim jo i qartë, ndonjëherë drita para syve
- Dhimbje e kokës, shpesh e fortë
- Vështirësi në frymëmarrje
- Dhimbje nën brinjë, në krahun e djathtë
- Rritje e menjëhershme e peshës (e shkaktuar nga depozitimi i lëngjeve në organizëm)
- Të vjella
- Zvogëlim i sasisë së urinës
- Zvogëlim i numrit të trombociteve në gjak
- Funksion jo normal i mëlçisë
Shenja kryesore e pre-eklampsisë në fetus është kufizimi i rritjes së fetusit për shkak të zvogëlimit të gjakut në placentë.
Shkaku i sëmundjes
Nuk dihet me saktësi se si shkaktohet kjo sëmundje. Shumica janë të mendimit qe ka lidhje me moszhvillimin e duhur të enëve të gjakut, të placentës, dhe kjo shkakton një reagim anormal të tyre ndaj sinjaleve të hormoneve.
Për shkak se enët e gjakut janë të ngushtuara, furnizimi me gjak është i kufizuar.
Nuk dihet me saktësi se përse enët e gjakut zhvillohen në mënyrë jo normale, por një sërë faktorësh mund të ndikojnë në këtë proces:
- Dëmtimi i enëve të gjakut
- Pamjaftueshmëri e sasisë së gjakut që shkon në uterus
- Problem me sistemin imunitar
- Faktorët gjenetik
Diagnoza
Për të vendosur diagnozën e pre-eklampsisë, të gjitha testet e mëposhtme duhet të dalin pozitiv:
Hipertensioni: Tensioni i gjakut mbi shifrat 140/90 mm Hg është anormal gjatë shtatzënisë.
Proteinuria: Urina duhet të grumbullohet për 12 orë ose më shumë dhe më pas vlerësohet sasia e proteinave në të. Kjo gjë mund të tregojë rëndesën e sëmundjes
- Testet e gjakut – këto kontrolle bëhen për të parë gjendjen e veshkave dhe të mëlçisë dhe nëse gjaku koagulon siç duhet apo jo.
- Eko fetale – monitorimi i fëmijës nga afër në mënyrë që të shihet nëse po rritet në mënyrë normale apo jo.
Faktorët e rrezikut
Faktorët e rrezikut që shoqërohen me pre-eklampsinë përfshijnë:
- Shtatzënia e parë: mundësia për të pasur pre-eklampsi gjatë shtatzënisë së parë është më e lartë se sa gjatë shtatzënive të tjera.
- Mungesa e shtatzënisë për një kohë të gjatë: Nëse shtatzënia e dytë ndodh 10 vjet pas të parës, shtatzënia e dytë ka një rrezik më të lartë për pre-eklampsi.
- Shtatzënia me një partner të ri: Çdo shtatzëni me një partner të ri rrit rrezikun e pre-eklampsisë krahasuar me shtatzëninë e dytë apo të tretë me të njëjtin partner.
- Histori familjare: një femër nëna apo motra e së cilës kanë pasur pre-eklampsi ka një mundësi më të madhe për të pasur pre-eklampsi.
- Histori personale për pre-eklampsi: një femër e cila ka pasur pre-eklampsi gjatë shtatzënisë së parë, ka një mundësi më të madhe për të pasur pre-eklampsi në shtatzëninë e dytë.
- Mosha: femrat me moshë mbi 40 vjeç kanë një mundësi më të madhe për pre-eklampsi krahasuar me femrat me moshë më të re.
- Disa gjendje shëndetësore: femrat me diabet, tension të lartë të gjakut, migrenë dhe sëmundje të veshkave janë më të predispozuara për pre-eklampsi në krahasim me femrat që nuk i kanë këto sëmundje.
- Obeziteti: pre-eklampsia është m e shpeshtë tek femrat obeze.
- Shtatzënitë me binjakë apo trinjakë: Nëse një femër pret 2 apo më shumë fëmijë rreziku për pre-eklampsi është më i madh.
Trajtimi
Deri në momentin kur nëna ka tension të lartë të gjakut, ajo ndodhet në një rrezik të rritur për goditje në tru, gjakrrjedhje masive, shkolitje të placentës nga uterusi.
Femrat që kanë kaluar pre-eklampsi në shtatzënitë e mëparshme duhet të kenë kontrolle më të shpeshta tek mjeku. Ilaçet e mëposhtme rekomandohen për kontrollin e sëmundjes:
- Antihipertensivët: Këto ilaçe përdoren për kontrollin e hipertensionit.
- Antikonvulsivantët: Në raste të rënda këto ilaçe përdoren për parandalimin e konvulsioneve të hershme. Doktori mund të rekomandojë sulfat magnesium.
- Kortikosteroidët:
Nëse nëna ka pre-eklampsi ose HELLP sindrom këto ilaçe mund të rregullojnë nivelin e trombociteve dhe funksionin e mëlçisë. Kjo mund të zgjasë periudhën e shtatzënisë.
Këto ilaçe gjithashtu përshpejtojnë maturimin e funksionit të mushkërive përpara kohe, gjë e cila është shumë e rëndësishme nëse fëmija lind përpara kohe. Trajtimi më i mirë për sindromën HELLP është lindja sa më përpara e fëmijës.
Pushimi
Nëse gruaja është larg fundit të shtatzënisë dhe shenjat janë të lehta, atëherë këshillohet regjim shtrati.
Pushimi ul presionin e gjakut dhe në këtë mënyrë rritet sasia e gjakut në placentë dhe në këtë mënyrë përfiton fëmija. Fëmija duhet të monitorohet nga afër. Në raste më të rënda e sëmura duhet te shtrohet në spital për ndjekje të vazhdueshme dhe për monitorim nga afër të pacientit.
Lindja e parakohshme
Doktori mund të këshillojë lindjen e fëmijës sa më shpejt që të jetë e mundur nëse Pre-eklampsia diagnostikohet afër fundit të shtatzënisë.
Në disa raste të rënda indikohet lindja cezariane në mënyrë të menjëhershme. Gjatë lindjes së fëmijës, nënës mund ti jepet sulfat magnezi për të përmirësuar sasinë e gjakut dhe për të parandaluar konvulsionet. Shenjat e preeklampsisë duhet te zhduken brenda pak javëve nga lindja e fëmijës.
Parandalimi
Këtu përfshihen:
- Duhen pirë 6 deri në 8 gota uji në ditë
- Të evitohen ushqimet e skuqura dhe të konservuara
- Të përjashtohet kripa nga dieta
- Duhet kryer aktivitet fizik i rregullt
- Të evitohet përdorimi i alkoolit dhe kafeinës
- Mbajini këmbët lart mbi nivelin e trupit disa herë në ditë.
- Përpiquni të pushoni gjatë ditës
Pas lindjes
Në raste të rralla, një grua mund të përjetojë hipertension pas lindjes.
Kjo gjendje quhet pre-eklampsia postpartum (pas lindjes). Kjo gjendje mund të ndodhë në periudhën midis disa ditësh apo javësh pas lindjes së fëmijës. Shenjat kryesore janë prezenca e proteinave në urinë dhe tensioni i lartë i gjakut.
Shenjat normale të preeklampsisë sic janë: dhimbjet e forta të kokës dhe enjtja e fytyrës mund të ndodhin.
Zakonisht mjekohet me ilaçe kundër tensionit të lartë dhe kundër konvulsioneve. Duhet të jepen ilaçe të cilat nuk kanë efekt në dhënien e gjirit.
Komplikacionet
Nëse pre-eklampsia nuk trajtohet ka një mundësi të madhe që të ndodhin komplikime të rënda të shëndetit. Komplikimet janë të rralla nëse sëmundja trajtohet dhe ndiqet rregullisht.
Komplikimet e mëposhtme mund te ndodhin nga preeklampsia:
Sindroma HELLP: Kjo lloj sindrome mund të bëhet e rrezikshme për jetën e nënës dhe të fëmijës. Paraqitet me :hemolize, rritje të enzimave të mëlçisë dhe ulje e numrit të trombociteve. Është një kombinim i çrregullimit të koagulimit dhe i çrregullimit të funksionit të mëlçisë i cili ndodh zakonisht menjëherë pas lindjes, por që mund të shfaqet në çdo kohë, duke filluar nga java e 20-t e shtatzënisë. E vetmja mënyrë për të mjekuar këtë sindromë është lindja sa më shpejt që të jetë e mundur e fëmijës.
Furnizim i ulët me gjak i placentës: Nëse sasia e gjakut që shkon në placentë është e kufizuar fëmija nuk merr sasinë e duhur të oksigjenit dhe të ushqimit. Kjo situatë mund të çojë në rritje të vonuar të fëmijës, vështirësi në frymëmarrje dhe lindje të parakohshme.
Shkolitja e placentës: Placenta shkëputet nga muri i brendshëm i uterusit. Në raste të rënda mund të kemi gjakrrjedhje të mëdha të cilat mund të dëmtojnë placentën. Çdo dëmtim i placentës mund të rrezikojë jetën e nënës dhe të fëmijës.
Eklampsia: Kjo është një kombinim i preeklampsisë dhe i konvulsioneve. Nëna mund të përjetoj dhimbje nën brinjë në anën e djathtë të trupit, dhimbje të forta të kokës, shikim të turbullt , konfuzion dhe ulje të vigjilencës. Nëse mbetet e patrajtuar kjo situatë mund të çojë në koma, dëmtime të përhershme të trurit dhe humbje të jetës. Kjo situatë është njëlloj e rrezikshme edhe për fëmijën.
Sëmundjet kardiovaskulare: Nënat që kanë pre-eklampsi kanë një rrezik më të lartë për të shfaqur sëmundje kardiovaskulare gjatë jetës.
Pre-eklampsia mund të shkaktojë disa probleme afatgjatë tek fëmijët të cilët mund të kenë probleme konjiktive që shfaqen më vonë gjatë jetës së tyre./ JoTabu.al

Leave a Reply