
Zëri i të Rinjve: Njihuni me Frida Keqa
Bisedoi: Blertina Koka
Frida Keqa vazhdon studimet për Administrim dhe Politika Sociale në Fakultetin e Shkencave Sociale. Gjatë vitit të parë të studimeve mësoi më shumë për vullnetarizmin dhe veprimtarinë e organizatave jofitimprurëse. Sot numëron një sërë certifikimesh falë pjesëmarrjes aktive në seminare, workshope dhe trajnime të ofruara nga këto organizata, për të cilat dëgjoi për herë të parë në shkallët e auditorit.
Me dëshirën e madhe për të ndihmuar të tjerët dhe pasionin e madh për punën që bën dhe vullnetin e mirë, vazhdon të japë kontributin e saj për të sjellë ndryshime të dukshme në komunitet.
Një vajzë pozitive dhe energjike, që arrin të përcjellë të gjithë dashamirësinë dhe thjeshtësinë e saj tek njerëzit.
Për rubrikën “Zëri i të Rinjve” për Jo Tabu, realizuar nga Shoqata Together for Life me mbështetjen e UNFPA Albania, Frida flet më shumë për eksperiencën e saj si vullnetare, përfshirjen në Rrjetin e Edukatorëve Bashkëmoshatar – Y -Peer Network Albania dhe si perceptohet nga të rinjtë e tjerë përreth saj fjala “vullnetar”.
Mund të më flasësh pak për veten? (Mosha, arsimimi, eksperienca pune apo përfshirja në grupet vullnetare).
Quhem Frida Keqa dhe si një vajzë 20 vjeçare kam bërë arritjet e mija dhe kam shumë qëllime për të ardhmen. Aktualisht jam studente në vitin e III Bachelor për Administrim dhe Politika Sociale në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës. Kam marrë pjesë në shumë trajnime dhe workshope me tematika nga më të ndryshmet, por që mbizotëruese janë temat në lidhje me shëndetin nëpërmjet edukimit bashkëmoshatar. Nga vetë fakti që studioj për shkenca humane, jam gjithashtu e përfshirë në çështje që kanë të bëjnë me këtë të fundit. Jam aktive në shumë organizata rinore dhe mendoj se do vazhdoj ta bëj.
Kur mendon për fjalët “vullnetarizëm” dhe “vullnetar”, çfarë të vjen ndër mendje? Si perceptohet në përgjithësi nga të rinjtë “vullnetarizmi” apo të “punosh si vullnetar” (pozitivisht apo negativisht)?
Vullnetarizmi për mua është një dëshirë e brendshme për të kontribuar në shoqërinë ku jeton, me qëllimin për ta përmirësuar dhe modernizuar, e cila pasqyrohet nëpërmjet veprimeve, pa pritur të ardhura në këmbim, por duke marrë kënaqësi shpirtërore, gjë që mendoj se ka shumë më shumë vlerë sesa ajo monetare.
Përgjithësisht, të punosh si vullnetar nga të rinjtë nuk duket si shumë tërheqëse. Nuk e di nëse ndikon mungesa e informacionit në lidhje me perceptimin e një vullnetari apo pasiviteti dhe plogështia që ndonjëherë i karakterizon të rinjtë e sotëm.
Të jesh vullnetare…si do ta përshkruash këtë eksperiencë?
Eksperienca e të qenit vullnetar them me bindje që është ndër eksperiencat që çdo i ri duhet ta kalojë. Për mua personalisht puna vullnetare ka qenë ndër përvojat për të cilat jam shumë falënderuese që kam mundur të jem pjesë, dhe se kohën që kam kushtuar për të ka qenë një kohë që vërtet ja ka vlejtur t’ia dedikoj. Nuk besoj se ka ndjenjë më të bukur se sa ta gjesh veten tënde të dobishme duke kontribuar si vullnetar në shoqërinë civile.
Çfarë të nxiti/ inkurajoi që të bëhesh pjesë e shoqërisë civile si vullnetar: vullnetarizimi, eksperienca që fiton apo trajnimet që ofrohen nga organizatat…
Të jem e sinqertë, para se të nisja studimet e larta nuk kam pasur shumë informacion në lidhje me vullnetarizmin apo veprimtarinë e organizatave jofitimprurëse. Gjatë vitit të parë të studimeve dëgjova në auditor rreth tyre dhe me zgjoi kureshtjen për ta parë nga afër. Ishte pikërisht aty pikënisja ime si vullnetare. E kuptova që ishte diçka që në nënvetëdije po e kërkoja. Vështirësia vetme ishte fillimi, për shkak se nuk kisha shumë informacion për mënyrën e funksionimit të tyre, por mjaftoi pjesëmarrja në trajnimin e parë që unë të krijoja rrjetet e shoqërisë dhe komunikimit. Që pas tij të tjerët erdhën njëra pas tjetrës dhe unë sot numëroj shumë certifikime nga pjesëmarrja aktive në seminare, workshope, trajnime. Me e rëndësishmja dhe thelbësorja nga e gjitha kjo është rritja që pësova. Kam marrë një shumëllojshmëri informacioni, shkëmbim eksperiencash dhe përmirësim të aftësive të mija, gjë që jo domosdoshmerisht mund të fitohen vetëm në shkollë.
Mendon se ia vlejtur apo ka qenë “shpërblyese” përfshirja jote si vullnetar? Si do ta vlerësoje këtë eksperiencë? Çfarë të ka pëlqyer dhe jo nga ajo?
Nuk besoj të ketë të mirë më të madhe që mund të bësh për veten se sa të kontribuosh në rritjen e saj, duke u bërë kështu i/e aftë për të dhënë kontributin tënd në shoqërinë ku jeton. Besoj që kjo fjali e definon qartazi vlerën që ka pasur tek unë përfshirja si vullnetare.
Çfarë më ka pëlqyer? Kjo është një pyetje që unë do i ktheja një përgjigje shumë të gjatë, por që po jua kursej lodhjen. Më ka pëlqyer fillimisht rrethi shoqëror që kam krijuar, persona energjikë, mendje hapur, të gatshëm për të ngritur zërin dhe bashkëpunuar. Më ka pëlqyer gjithashtu fakti që kam mundur të sfidoj veten, të përmirësoj aspekte për të cilat kam pasur vështirësi. Një tjetër gjë që më ka pëlqyer është fakti që puna vullnetare të jep mundësinë të përfshihesh dhe t’i kuptosh gjërat dhe t’i shohësh nga një këndvështrim tjetër, më pranues dhe jo paragjykues.
Së fundmi, por jo për nga rëndësia, falë punës vullnetare, kam mundur të vizitoj fshatra, qytete, shtete, nga të cilat kam fotot më të bukura. Sounds good, yeah?
Mendon se ka organizata në Shqipëri që janë shumë të mira në tërheqjen e të rinjve si vullnetar? Çfarë bëjnë ato, sipas mendimit tënd, për t’i tërhequr apo përfshirë të rinjtë në grupet vullnetare?
Shqipëria ka një numër relativisht të madh organizatash madje vlen të theksoj që dita ditës ky numër po rritet. Por sa prej tyre janë vërtet të mirëorganizuara dhe që funksionojnë siç duhet? Këtë gjë unë nuk jam askush për ta përcaktuar por mund të them që nuk janë të shumta organizatat që kanë një mekanizëm efektiv të tërheqjes së vullnetarëve. Sipas meje përveç dëshirës personale që individi duhet të ketë për tu bërë vullnetar ndikon shumë edhe motivimi nga vetë organizata.
A do t’i inkurajoje të rinjtë e tjerë të bëhen pjesë e vullnetarizmit? Çfarë këshille do t’iu jepje.
Nisur nga eksperienca ime personale, padyshim që po! Jemi pikërisht ne, mosha jonë që po preket nga fenomene jo te këndshme dhe sjellje jo të duhura. Nisur nga kjo, ne si rini kemi rolin kryesor në parandalimin apo frenimin e këtyre fenomeneve. Kush më mirë se ne mund ta përmirësojë këtë situatë? Sigurisht që askush. Ne na karakterizon energjia dhe bashkëpunimi, shtoji këtu edhe njohuritë që zotërojmë dhe besoj që ky kombinim është i duhuri që një vullnetar të arrijë të përçojë dëshirën për të ndryshuar diçka, gjë që rrjedhimisht pasohet në veprim e në fund në arritje.
Çfarë këshille do t’i jepje një organizate që po kërkon të marrë të rinj si vullnetar? Çfarë duhet të bëhet për të promovuar vullnetarizmin si një eksperiencë pozitive/e dobishme për të rinjtë?
Këshilla ime kryesore është që t’i lënë hapësirë çdo personi të shfaqë atë që di të bëjë më mirë dhe të vënë theksin në pikat e tyre të forta, sepse në këtë mënyrë ky person do japë maksimumin e tij të mundësh.
Së fundmi, i këshilloj tu japin vullnetarëve përgjegjësi, detyra të rëndësishme, pasi kjo ndikon në disiplinimin e tyre dhe ndikon pozitivisht për të dyja palët.
Për ta mbyllur, unë dua të lë si mesazh shprehjen time të preferuar rreth vullnetarizmit…
”As you grow older, you will discover that you have two hands, one for helping yourself, the other for helping others”./ JoTabu.al
Leave a Reply