Si të flas me prindërit për shëndetin seksual dhe riprodhues?
Personat e rritur të cilët ju i besoni mund t’ju ndihmojnë për përgjigje për pyetjet e shumta që mund të keni lidhur me shëndetin seksual dhe riprodhues. Mund të duket e parehatshme në fillim, megjithatë bëhet më e lehtë sa herë që ju flisni për këtë temë.
Kujt mund t’i drejtohem nëse kam pyetje lidhur me trupin?
Është krejtësisht normale që të kesh një sërë pyetjesh lidhur me trupin dhe çfarë ndodh gjatë pubertetit. Biseda me personat e rritur që ju u besoni është mënyra më e mirë për të marrë përgjigje për të gjitha pyetjet apo shqetësimet që mund të keni. Mund të flisni me prindërit, gjyshërit, tezet, hallat, dajat, vëllezërit apo motrat më të mëdha, mësuesit – me këdo që besoni se kujdeset për ju dhe shëndetin tuaj.
Çdo i rritur e dini që e ka kaluar fazën e adoleshencës, prandaj gjasat janë që edhe ai/ajo të ketë kaluar të njëjtën përvojë si ju dhe mund t’ju japë këshillën e duhur. Nëse nuk i dinë përgjigjet e pyetjeve tuaja, mund t’ju ndihmojnë të merrni informacion nga një burim i besueshëm.
Por nëse ndihem jo rehat të flas me prindërit?
Është normale të ndihesh çuditshëm apo jo rehat të flasësh me prindërit apo me persona të tjerë të rritur për ndryshimet në trup, lidhjet ose seksin, megjithatë ata interesohen për ju dhe duan t’ju ndihmojnë.
Ata me siguri do t’i mirëprisnin bisedat me ju lidhur me trupin, shëndetin seksual dhe riprodhues. Dhe kur filloni të flisni për këto tema, bisedat bëhen më të lehta me kalimin e kohës.
Ja disa këshilla për të nisur një bisedë:
- Bëjeni të ditur që më parë që dëshironi të flisni lidhur me këto tema.
Është në rregull t’u tregoni nëse ndiheni nervoz. Mund të thoni diçka të tillë si: Është pak e sikletshme për mua, megjithatë dua të flas për këtë…”
- Mendoni paraprakisht për pyetjet që dëshironi të pyesni. Jini sa më të qartë që të mundeni dhe përpiquni të tregoheni sa më të hapur në lidhje me atë që doni të dini.
- Nëse ndiheni më mirë që t’i bëni pyetjet me email ose mesazh tekst, bëjini. Për disa njerëz është më lehtë që t’i shkruajnë pyetjet sesa t’i thonë. E rëndësishme është që të komunikoni me një të rritur që ju i besoni, pavarësisht mënyrës së komunikimit.
Nëse vërtet nuk mund të flisni me prindërit lidhur me atë çka po ndodh me trupin tuaj, gjeni një të rritur të cilët i besoni – si një vëlla/motër më të madh, kushëri/kushërirë, gjyshërit, mësues etj.
Burimi: Planned Parenthood / JoTabu.al

Leave a Reply