Infertiliteti, shkaqet kryesore që shtojnë rrezikun
Dr. Jonida Reveli, mjeke obstetër-gjinekologe
Nëse realizimi i një shtatzënie ka qenë një sfidë e madhe për ju e partnerin tuaj, duhet të dini që nuk jeni vetëm. Rreth 10 – 15 % të çifteve vuajnë nga infertiliteti.
Infertiliteti përkufizohet si pamundësia për të konceptuar një shtatzëni, pavarësisht marrëdhënieve seksuale të pambrojtura për të paktën një vit rresht, ose 6 muajsh në disa rrethana.
Zakonisht konsulta me gjinekologun duhet të bëhet pas 1 viti.
Pacientet femra duhet t’i drejtohen mjekut obstetër-gjinekolog për konsultë pas 6 muajsh marrëdhëniesh seksuale të pambrojtura nëse:
- Mosha 35 – 40 vjeç që nuk kanë arritur të kenë një shtatzëni pas 6 muajsh.
- Mosha mbi 40 vjeç.
- Kanë cikle të çrregullta menstruale ose nuk kanë fare të tilla.
- Janë diagnostikuar më parë me probleme të fertilitetit.
- Janë diagnostikuar me sëmundje inflamatore pelvike apo endometrioze.
- Kanë pasur më shumë se një abort.
- Kanë marrë mjekime apo rrezatime për sëmundje kancerogjene.
Pacientët meshkuj duhet t’i drejtohen mjekut për konsultë pas 6 muajsh marrëdhëniesh seksuale të pambrojtura nëse:
- Spermograma me ndryshime jonormale.
- Ndjejnë fryrje në scrotum.
- Kanë bërë një ndërhyrje kirurgjikale të mëparshme, si për shembull vazektomi apo ndërhyrje në scrotum, inguanale.
- Kanë testikuj të vegjël.
- Kanë dëshirë të ulët seksuale apo çrregullime të funksionit seksual, çrregullime të ejakulacionit.
- Kanë marrë mjekime apo rrezatime për sëmundje kancerogjene.
Faktorët që shtojnë riskun për të pasur probleme me infertilitetin si për meshkujt e për femrat janë:
- Mosha – Fertiliteti i femrave dhe i meshkujve ulet me moshën. Ky faktor bëhet më i rëndësishëm te femrat pas moshës 30 vjeç sepse kemi ndryshime në numër dhe cilësi të prodhimit të vezëve si dhe tek meshkujt pas moshës 40 vjeç.
- Përdorimi i duhanit.
- Ekspozimi ndaj pesticideve e toksinave të tjera.
- Përdorimi i alkoolit.
- Përdorimi i drogërave.
- Të qenit mbipeshë ose obeze.
- Të qenit nënpeshë, i keq ushqyer apo dietat e forta.
- Aktiviteti i tepërt i sforcuar fizik.

Shkaqet e infertilitetit ndahen sipas statistikave në tre grupe madhore:
- 1/3 rasteve problemi është vetëm femëror
- 1/3 rasteve problemi është vetëm mashkullor.
- 1/3 rasteve problemi është i të dyve apo nuk gjendet shkaku.
Shkaqet e infertilitetit femëror janë:
- Çrregullime të ovulacionit ose prodhimit të vezëve – për shembull vezoret policistike, shtim i prodhimit të hormonit prolaktinë- hormon që stimulon gjinjtë për prodhimin e qumështit, amenorrea ose mungesa e ciklit menstrual, oligoamenorrea ose sasi e pakët e ciklit menstrual të cilat vijnë si pasojë e ndryshimeve hormonale.
- Çrregullime të formës apo strukturës të mitrës apo qafës së mitrës – për shembull anomali të lindura të formës së mitrës, masa beninje të saj si fibrimiomat, ndryshime në hapjen e qafës së mitrës (stenoza), ndryshime të mukusit dhe bashkëveprimit mukus – spermë.
- Infeksionet seksualisht të transmetueshme që sjellin ndryshime në cilësinë e mukusit.
- Bllokime të tubave fallopiane nga salpingitet apo inflamacioni i tubave që vinë nga sëmundjet pelvike inflamatore dhe endometrioza.
- Ngjitjet pelvike të shtresave të barkut që vijnë si pasojë e infeksioneve pelvike, apendiciti, peritonitis apo ndërhyrjeve kirurgjikale abdominale të mëparshme.
- Menopauza e parakohshme para moshës 40 vjeç.
- Sëmundje të tiroides si hiper apo hipo prodhimi sjellin ndryshime deri në ndërprerje të ciklit menstrual, duke çuar në infertilitet etj.
Shkaqet e infertilitetit mashkullor:
- Prodhim jo normal i spermës në sasi e cilësi – vjen nga defekte të lindura, mos zbritja e testikujve, infeksione të mëparshme, sëmundje si diabeti, çrregullime hormonale, ndërhyrje të mëparshme kirurgjikale, venat e zgjeruara të testikujve (varikocela) etj.
- Probleme në transportimin e spermës – ejakulacioni i parakohshëm, probleme të strukturave transportuese të spermës për shkak të ndërhyrjeve kirurgjikale, defekteve gjenetike, infeksioneve, traumave etj.
Përpara se të shkoni të konsultoheni me mjekun për problemet e infertilitetit, duhet që ju si pacientë të jeni i kujdesshëm në mbledhjen e këtyre informacioneve tuaja personale:
- Të siguroni një histori të plotë të cikleve menstruale, të marrëdhënieve seksuale, shpeshtësinë e kohën për tërë muajt që jeni përpjekur për të realizuar një shtatzëni.
- Të dispononi një histori të plotë të problemeve tuaja shëndetësore të njohura, të ekzaminimeve që keni bërë apo ndërhyrjeve kirurgjikale.
- Bëni një listë të tëra mjekimeve, barnave apo vitaminave që merrni, si dhe një kuadër të stilit tuaj të jetës.
- Bëni një listë pyetjesh që dëshironi t’i bëni mjekut.
Trajtimi i infertilitetit:
- Trajtimi i infeksioneve.
- Trajtimi i problemeve të aktit seksual në vetvete.
- Përdorimi i kurave hormonale dhe medikamentoze.
- Stimulimi i prodhimit të vezëve me barna.
- Ndërhyrje kirurgjikale.
- Përdorimi i teknologjisë së riprodhimit të asistuar.
Hapi kryesorë në trajtimin e infertilitetit është të ruani një marrëdhënie të shëndoshë, të qetë, komunikim të vazhdueshëm. Dëshira për të pasur një shtatzëni të jetë e fortë dhe triumfuese mbi çdo sakrificë që do bëni së bashku për të pasur një të tillë. Të menaxhoni stresin dhe të jetoni shëndetshëm./ JoTabu.al

Leave a Reply