Zëri i të Rinjve: Njihuni me Fatri Puca
Bisedoi: Blertina Koka
Fatri Puca është padyshim modeli i një të riu aktiv, i papërtuar i punës, zëri i të rinjve dibranë.
Edhe pse mjaft i ri në moshë (aktualisht 19 vjeç), ai ka ndërmarrë një sërë iniciativash dhe nismash për të rinjtë në qytetin e minatorëve, Bulqizë. Themelues dhe koordinator i Bordit Rinor të Bulqizës, anëtar i forumit “Të Rinjtë e Dibrës”, aktivist në disa nisma humanitare të ndërmarra nga organizata të ndryshme brenda dhe jashtë Bulqizës, pjesë gjithmonë e sipërmarrjeve të të rinjve për të lobuar dhe ngritur zërin për shqetësimet që kanë të rinjtë e kësaj zone, Fatriu është padyshim një vlerë e shoqërisë dibrane dhe jo vetëm.
Në veprimtarinë e tij të shumanshme shohim modelin e një të riu të përshtatur me frymën e kohës, aktivistin e gjithanshëm, bartës dhe realizues i së mirës.
Së fundmi ai i është bashkuar shoqatës Together for Life në nismën për promovimin e shëndetit të mirë në Dibër.
Për rubrikën “Zëri i të Rinjve” për Jo Tabu, realizuar nga Shoqata Together for Life me mbështetjen e UNFPA Albania, Fatriu flet më shumë për eksperiencën e tij si vullnetar, përfshirjen në forumin “Të rinjtë e Dibrës” dhe shumë nismave të tjera të ndërmarra për të rinjtë në qytetin e tij.
Një prezantim për të gjithë ata që s’të njohin…
Quhem Fatri Puca, jam 19 vjeç dhe vij nga qyteti i Bulqizës. Studioj për Drejtësi në Universitetin e Tiranës, viti i parë.
Që në moshë të vogël më pëlqente që të aktivizohem në punë vullnetare, dhe këtë qëllim e arrita. Kam qenë aktivist në disa nisma humanitare të ndërmarrë nga aktorë të ndryshëm brenda dhe jashtë qytetit të Bulqizë, pjesë e disa fushatave sensibilizuese dhe sipërmarrjeve për të rinjtë.
Jam themelues dhe koordinator i Bordit Rinor të Bulqizës dhe anëtar i forumit “Të Rinjtë e Dibrës”, një lëvizje kjo që synon të bëjë bashkë të gjithë të rinjtë dibranë, duke u kthyer kështu në një shtëpi të madhe për ta. Kam qenë pjesë edhe e fushatës “PërSHËNDETje”, realizuar nga shoqata Together for Life, ku kemi vajtur në disa zona të Dibrës për të informuar komunitetin mbi sëmundjet kronike jo-infektive dhe faktorët e rrezikut, si duhanpirja, abuzimi me alkoolin, pasiviteti fizik, kequshqyerja etj.
Të jesh vullnetar…si do ta përshkruash këtë eksperiencë?
Jam përfshirë në disa projekte vullnetarizmi dhe secila prej tyre meriton një përshkrim të veçantë, pasi në secilën prej tyre kam dhënë dhe kam përfituar në mënyra të ndryshme. Kam dhënë më të mirën time, jam përfshirë maksimalisht, duke iu përshtatur kërkesave të secilit projekt, si dhe kam përfituar eksperiencë mjaft të vlefshme. Të qenët vullnetar ka ndikuar pozitivisht te unë, pasi me ka ndihmuar ne zhvillimin e aftësive të të shprehurit, vepruarit dhe reagimit në situata të ndryshme, si dhe promovimin e bërjes së gjërave të mira.
Çfarë të nxiti/ inkurajoi që të bëhesh pjesë e shoqërisë civile si vullnetar: vullnetarizimi, eksperienca që fiton apo trajnimet që ofrohen nga organizatat…
Vullnetarizmi njihet si një mënyrë e mirë për t’u lidhur me komunitetin. Duke u nisur mbase dhe nga natyra ime sociale dhe dëshira për t’u përfshirë vazhdimisht në veprime apo veprimtari që sjellin të mira për një grup njerëzish, them se kjo ka qenë shtysa më e madhe. Bashkëveprimi me komunitetin të ndihmon shumë. Qoftë edhe për të njohur veten, limitet e tua, por edhe për të njohur realitetin në të cilin jeton dhe për të qenë “i dobishëm” për të ndryshuar sadopak pozitivisht një situatë.
Mendon se ia ka vlejtur apo ka qenë “shpërblyese” përfshirja jote si vullnetar? Si do ta vlerësoje këtë eksperiencë?
Kur diçka ndryshon, dhe ti ke qenë një dorë që e ke shtyrë atë situatë të ndryshojë, për mirë sigurisht, ky është shpërblimi dhe kënaqësia më e madhe.
Mendon se ka organizata në Shqipëri që janë shumë të mira në tërheqjen e të rinjve si vullnetar? Çfarë bëjnë ato, sipas mendimit tënd, për t’i tërhequr apo përfshirë të rinjtë në grupet vullnetare?
Ka shumë organizata që bëjnë një punë shumë të mirë, veçanërisht me përfshirjen e të rinjve. Është e rëndësishme që të rinjtë në një mënyrë apo në një tjetër të jenë aktivë dhe të fitojnë eksperiencë. Edhe një aplikim për të qenë pjesë e një organizate si vullnetar, është një hap i rëndësishëm. Thuhet se ka shumë njerëz që humbasin vendin e punës vetëm për shkak të mosparaqitjes mirë përmes CV-së apo një letre motivimi. Gjithashtu, shpesh të rinjtë kanë vështirësi që të shprehen në publik qoftë edhe për të dhënë një ide, kështu që përfshirja në organizatë është një mundësi për ta kapërcyer këtë. Organizimet në grup, puna në grup, të mësosh të dëgjosh dhe të dëgjojnë, të jesh bindës, janë aftësi sa të fituara e aq të lindura, të cilat mund t’i zbulosh vetëm kur përfshihesh dhe të duhet t’i vesh në zbatim. Ndaj, përfshirja është absolutisht pozitive. Si dhe mendoj se shoqëria në përgjithësi, apo komunitete të caktuara në veçanti, kanë nevojë për shpirtin e vullnetarizmit.
A do t’i inkurajoje të rinjtë e tjerë të bëhen pjesë e vullnetarizmit? Çfarë këshille do t’iu jepje.
Absolutisht po! Derisa një veprim është vullnetar, dhe e bën sepse e ndjen, kënaqësia është shumë e madhe. Madje, do thosha shumë më e madhe se një punë që e bën shumë mirë, por në fund paguhesh për të. Gjithkush duhet të kontribuojë në komunitet, me format e veta, për të ndihmuar njerëzit në nevojë, apo njerëzit e sëmurë dhe vullnetarizmi është një formë. I këshilloj të rinjtë që të kërkojnë të jenë pjesë e organizatave që i përfshijnë të rinjtë.
Çfarë këshille do t’i jepje një organizate që po kërkon të marrë të rinj si vullnetar? Çfarë duhet të bëhet për të promovuar vullnetarizmin si një eksperiencë pozitive/e dobishme për të rinjtë?
Këshillë? Do t’u kërkoja që të merrnin idetë e të rinjve dhe t’i përkthenin në projekte. Kjo i motivon shumë të rinjtë dhe i bën ata që të ndihen më pozitivë./ JoTabu.al

Leave a Reply