Zëri i të Rinjve: Njihuni me Eleni Nanaj
Bisedoi: Blertina Koka
Që 18 vjeç Eleni Nanaj është përfshirë në grupet vullnetare, duke hedhur kështu hapat e parë drejt profesionit si një punonjëse sociale. Ndonëse të tjerët e shihnin pjesëmarrjen e saj si vullnetare si humbje kohe, për të ka qenë një nga eksperiencat më me vlerë për zhvillimin profesional, promovimin e vetes nëpërmjet punës vullnetare, si dhe marrjen e një kënaqësie të pakrahasueshme me atë që mund të marrë nga një punë e paguar, sepse gjithçka e bën më dëshirën dhe vullnetin më të madh.
Tashmë 22 vjeç, ajo punon si Menaxhere Programesh pranë Qendrës ACT for SOCIETY, ndërkohë që vazhdon studimet për Master Shkencor “Administrim i Shërbimeve Sociale”, në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës.
Këshilla e saj për të rinjtë: Dhuro kohën për një çështje që ti beson dhe për të cilën ndjen pasion, bëje me gjithë zemër dhe e gjithë eksperienca do të jetë e paharrueshme!
Për rubrikën “Zëri i të Rinjve” për Jo Tabu, Eleni flet më shumë për eksperiencën e saj si vullnetare, përfshirjen në Rrjetin e Edukatorëve Bashkëmoshatar – Y -Peer Network Albania dhe si perceptohet nga të rinjtë e tjerë përreth saj fjala “vullnetar”.
Quhem Eleni Nanaj, jam 22 vjeç. Vazhdoj studimet Master Shkencor “Administrim i Shërbimeve Sociale”, në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës. Përpara 4 vitesh kam nisur përfshirjen në grupe vullnetare. Eksperiencat kanë qenë të ndryshme, duke filluar nga puna me fëmijë me nevoja speciale, fëmijë në situatë rruge dhe/ose pa kujdes prindëror, dhe sigurisht me të rinj.
Të jesh vullnetare dhe zëri i të rinjve…si do ta përshkruash këtë eksperiencë?
Një eksperiencë që të gjithë duhet ta provojnë. Mënyra më e mirë dhe frytdhënëse e përdorimit të kohës së lirë, të ndihmon të njohësh veten më mirë, të dalësh nga zona e komfortit dhe të njohësh njerëz të rinj me interesa të përbashkëta me ty! Nga puna vullnetare mund të bësh shumë miq të mirë!
Në vitin 2016 i jam bashkuar Rrjetit të Edukatorëve Bashkëmoshatar – Y -Peer Network Albania dhe ka qenë një eksperiencë sfiduese, e bukur dhe e paharrueshme. Ky rrjet më ka mësuar çdo gjë që di rreth punës me të rinjtë, dhe sot, pas gjithë këtyre aktiviteteve vullnetare dhe trajnimeve të ofruara, jam Menaxhere Programesh pranë Qendrës ACT for SOCIETY, e cila punon pikërisht me të rinjtë! Pra, unë e them me gjithë bindjen se eksperienca ime si vullnetare më ndihmoi të bëhesha një profesioniste e re e kualifikuar, dhe të hidhja hapat e parë drejt karrierës në këtë fushë.
Si perceptohet në përgjithësi nga të rinjtë “vullnetarizmi” apo të “punosh si vullnetar” (pozitivisht apo negativisht)?
Komentet që unë personalisht kam marrë kanë qenë përgjithësisht negative. Të gjithë e shihnin pjesëmarrjen time vullnetare si humbje kohe. Gjithsesi, besoj se të qenit vullnetare të jep një kënaqësi më të madhe gjatë kryerjes së një aktiviteti të caktuar, se sa kënaqësia e të qenit i/e paguar për të njëjtin aktivitet. Kjo sepse je duke bërë diçka me dëshirë dhe e vetmja gjë që ti do të fitosh është kënaqësia.
Çfarë të nxiti/ inkurajoi që të bëhesh pjesë e shoqërisë civile si vullnetare: vullnetarizimi, eksperienca që fiton apo trajnimet që ofrohen nga organizatat…
Kisha nevojë të provoja eksperienca të reja dhe të njihja njerëz të rinj – pra arsyeja e parë ishte e fokusuar tek unë si individ dhe zhvillimi im personal. Arsyeja e dytë ishte e fokusuar tek zhvillimi im profesional – organizatat e shoqërisë civile janë shumë pozitive ndaj profesionistëve të rinj me potencial dhe vullnet.
Mendon se ia vlejtur apo ka qenë “shpërblyese” përfshirja jote si vullnetare? Si do ta vlerësoje këtë eksperiencë? Çfarë të ka pëlqyer dhe jo nga ajo?
“Shpërblimi” im ka qenë: miqësia dhe socializimi, zhvillimi profesional, sfida ndaj vetes dhe dalja nga zona e komfortit, promovimi i vetes nëpërmjet punës vullnetare, shpenzimi i kohës për gjëra të vlefshme për mua.
Mendon se ka organizata në Shqipëri që janë shumë të mira në tërheqjen e të rinjve si vullnetar? Çfarë bëjnë ato, sipas mendimit tënd, për t’i tërhequr apo përfshirë të rinjtë në grupet vullnetare?
Sigurisht që ka! Një nga më të suksesshmet është Y- Peer! Suksesi qëndron tek qasja e personave që e drejtojnë – mund të jetë e thjeshtë që të tërheqësh të rinjtë, por pjesa e vështirë është t’i mbash ata. Duhet të kesh qasje motivuese, jo monetare! Përveç ofrimit të trajnimeve dhe aktiviteteve me tematika të ndryshme, të cilat ndihmojnë në zhvillimin profesional, një nga teknikat që Pika Fokale e Y-Peer Albania, Andi Rabiaj ka përdorur, të cilën e kam analizuar dhe kuptuar më vonë por asnjëherë në momentin që është përdorur: në fund të çdo trajnimi me kohëzgjatje deri në 5 ditë, ose në takime vullnetaresh periodike, ai ka bere një koment motivues dhe vlerësues për çdo vullnetar, që nga dita e parë që i ishte bashkuar rrjetit deri në atë moment, duke përfshirë ndryshimet dhe progresin e individit, atë që ai/ajo ka kontribuar, çfarë mund të bëjë më shumë për t’u përmirësuar dhe një mendim personal pozitiv. Ai ka treguar në çdo moment që ka qenë i vëmendshëm dhe ka vlerësuar te gjithë vullnetarët që e kanë ndjekur, ka treguar se nuk ka qenë duke na përdorur (siç ndodh rëndom fatkeqësisht), por ka besuar tek ne dhe ka qenë mentori ynë!
A do t’i inkurajoje të rinjtë e tjerë të bëhen pjesë e vullnetarizmit? Çfarë këshille do t’iu jepje.
Unë gjatë gjithë kohës inkurajoj të rinjtë që të bëhen vullnetarë aktivë në shoqërinë tonë, sepse ne kemi nevoje për sa më shumë të rinj vullnetarë. Këshilla ime: dhuro kohen për një çështje që ti beson dhe për të cilën ndjen pasion, bëje me gjithë zemër dhe e gjithë eksperienca do të jetë e paharrueshme!
Çfarë këshille do t’i jepje një organizate që po kërkon të marrë të rinj si vullnetar? Çfarë duhet të bëhet për të promovuar vullnetarizmin si një eksperiencë pozitive/e dobishme për të rinjtë?
Këshilla: jep mundësi dhe larmishmëri aktivitetesh; vlerëso; jep feedback për kontributin; bëhu mentor; mos komentoni negativisht vullnetarë të tjerë (jo vetëm në sy të vullnetarëve, por duhet të jetë e ndaluar nga kodi i etikës së organizatës).
Jep shembuj reale vullnetarizmi dhe kujdes! – jo për çështje me lidhje politike dhe/ose fetare./ JoTabu.al

Leave a Reply