Metodat e kontracepsionit: Cilat janë më të sigurtat dhe më efikaset?
50 vite më parë, planifikimi familjar u njoh si e drejtë njerëzore. Megjithatë, metodat e sigurta dhe të besueshme të kontracepsionit ende nuk janë në dispozicion për qindra miliona njerëz. Shumë prej tyre përdorin metoda jo efikase, në disa raste edhe të rrezikshme, për të parandaluar shtatzëninë.
Një pjesë e metodave të kontracepsionit janë më shumë se 99% efikase, por ka edhe metoda që janë më pak se 71% efikase.
Efikasiteti i kontracepsionit varet nga lloji dhe mënyra që përdoret. Prandaj është e rëndësishme që të lexoni më parë udhëzimet dhe t’i përdorni ato në mënyrën e duhur, që të jenë sa më efikase.
Më poshtë do të gjeni disa nga metodat e kontracepsionit dhe sa efikase janë ato, sipas ekspertëve të NHS (Këshillit Kombëtar të Shëndetit në Amerikë).
Planifikimi familjar natyral
Planifikimi familjar natyral është një proces i monitorimit të shenjave të ndryshme të fertilitetit gjatë ciklit menstrual, për të parashikuar kur janë shanset më të larta që të ngelni shtatzënë.
Nëse ndiqet në mënyrë precize, kjo metodë mund të jetë 99% efikase, edhe pse në shumicën e rasteve nuk ka rezultuar edhe aq efikase, duke qenë se gratë nuk i ndjekin siç duhet udhëzimet përkatëse. Kjo metodë nuk ka efekte anësore fizike.
Prezervativët
Ka dy lloje prezervativësh: prezervativët mashkullorë (vendosen në penis) dhe prezervativët femëror (vendosen brenda në vaginë).
Prezervativët janë e vetmja mënyrë e kontracepsionit që mund të ofrojnë mbrojtje kundër infeksioneve seksualisht të transmetueshme dhe parandalojnë shtatzëninë.
Prezervativët janë të disponueshëm në madhësi të ndryshme, në varësi të trashësisë së penisit. Prezervativi nuk duhet të jetë shumë i ngushtë ose shumë i gjerë. Prezervativët për meshkujt janë 98% efikas, megjithatë ka disa faktorë që mund t’i bëjnë ata më pak efikas, si lubrifikuesit me bazë vaji (që mund të dëmtojnë prezervativët me material lateksi dhe polisoprene).
Prezervativët për femra janë 95% efikas dhe vendosen brenda vaginës. Ata janë më pak efikas nëse çahen ose penisi hyn gabimisht anash prezervativit në vaginë.
Pilulat kontraceptive
Pilulat kontraceptive janë më shumë se 99% efikas nëse merren siç duhen, megjithatë në përdorimin e zakonshëm ata janë rreth 91% efikas. Është mirë që të merrni në të njëjtin orar 1 kokërr për 21 ditë, pastaj të bëni një periudhë pushimi për 7 ditë. Ekziston rreziku i të ngelurit shtatzënë nëse nuk e merrni pilulën në të njëjtin orar çdo ditë, ose nëse keni diarre dhe të vjella të shpeshta.
Disa lloje antibiotikësh mund të ulin efikasitetin e këtyre pilulave kontraceptive gjithashtu. Pilula vetëm me hormonin progesteron është më shumë se 99% efikase nëse merret siç duhet.
Injeksioni kontraceptiv
Injeksioni është më shumë se 99% efikas dhe zgjat për 8 deri në 13 javë, në varësi të llojit që merrni. Kjo metodë është rreth 94% efikase në përdorim të zakonshëm. Ajo nuk ndikohet nga ilaçet e tjera, megjithatë mund të shkaktojë çrregullim të periodave ose edhe të ndërpriten për një periudhë.
Mund të duhet më shumë se 1 vit pas injeksionit që cikli të kthehet në normalitet dhe të keni shanse për të ngelur shtatzënë.
Ngjitësi kontraceptiv
Ngjitësi është më shumë se 99% efikas nëse përdoret siç duhet. Ai nuk është i sigurt ose është më pak i sigurt, nëse: jeni duke marrë ilaçe të caktuara, harroni të vendosni ngjitësin pas ndërprerjes 7 ditore, harroni ta ndryshoni, humbisni ngjitësin dhe nuk aplikoni një të ri brenda 24 orësh (1 ditë).
Ngjitësi kontraceptiv lëshon hormone në trup për të parandaluar shtatzëninë. Mbajeni ngjitësin për 7 ditë (1 javë) dhe pastaj duhet ta ndryshoni.
Unaza vaginale
Ashtu si ngjitësi, edhe unaza vaginale është më shumë se 99% efikase nëse përdoret siç duhet, por përdorimi i zakonshëm e bën atë rreth 91% efikas. Unaza vendoset brenda vaginës dhe lëshon hormone në qarkullimin e gjakut, duke siguruar kontracepsion për një muaj.
Mund të kryeni pa problem marrëdhënie seksuale, dhe funksionon edhe nëse keni të vjella ose diarre, megjithatë nuk duhet që ta ndryshoni atë çdo muaj.
Implanti kontraceptiv
Implanti është më shumë se 99% efikas nëse përdoret në mënyrën e duhur, dhe funksionon për 3 vjet. Implanti është si një shkop i vogël plastik që vendoset nën lëkurë në krahë dhe lëshon hormone në enët e gjakut. Disa ilaçe, si antibiotikë të caktuar dhe ilaçe për epilepsinë ose HIV-in, mund ta bëjnë këtë metodë më pak efikase.
Diafragma
Nëse përdoret siç duhet, diafragma është 92-96% efikase. Përdorimi i zakonshëm e bën atë rreth 71-88% efikase, që do të thotë se nuk është edhe aq e sigurt sa metodat e tjera të kontracepsionit. Diafragma është një kapak silikoni me gjerësi deri në 8,5 cm. Ajo mbulon hyrjen e mitrës (qafa e mitrës) dhe pengon spermatozoidin që të mos arrijë vezën. Duhet ta mbani atë për të paktën 6 orët e ardhshme pas kryerjes së marrëdhënieve seksuale, dhe mos harroni që ta përdorni dhe hiqni siç duhet.
Burimi: BBC

Leave a Reply