Institucionet dhe shoqëria civile diskutojnë “Ligjin për Rininë”
Elena Beta
“Për herë të parë Shqipëria do të ketë një ligj të posaçëm për rininë, i cili do të shërbejë si një mbështetje e madhe për të rinjtë e vendit, përmes programeve të veçanta, por jo vetëm. Ndryshe nga çdo ligj tjetër, projektligji për rininë, që po diskutohet me publikun që në fillimet e tij, do të shërbejë për të adresuar politikat rinore”, u shpreh Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë znj. Lindita Nikolla, gjatë diskutimit të hapur, ku morën pjesë organizata rinore dhe të rinj nga gjithë Shqipëria.
Miratimi i një ‘Ligji për Rininë’ ka qenë një kërkesë e artikuluar nga organizatat rinore që në vitin 2014 dhe tashmë po bëhet i mundur falë angazhimit të Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me UNFPA dhe The Olof Palme International Center. Procesi i konsultimeve do të vijojë në shtator 2018 me një sërë takimesh, ku do të përfshihen të rinj dhe organizata rinore nga qarqe të ndryshme të Shqipërisë.
Në këtë takim ishte prezent dhe zv. ministri i Arsimit Sportit dhe Rinisë, z. Shpati Kolgega, i cili gjatë fjalës të tij tha se ky ligj do i japë të rinjve mundësi të barabarta për t’u shprehur dhe për ta zhvilluar sa më shumë vendin ku jetojnë. Z. Kolgega tha se hartimi i këtij ligji nuk është vetëm çështje e Ministrisë, por është një çështje e përbashkët për të cilin është i nevojshëm angazhimi i i të gjithëve, në mënyrë që të përfitojmë një produkt cilësor.

Znj. Elsona Agolli, përfaqësuese nga UNFPA, theksoi se, nuk mund të ketë vendime për rininë, pa rininë, si dhe përgëzoi të gjithë të rinjtë e pranishëm në diskutim.
“Në botë ka 1.8 miliardë të rinj, 24% e popullsisë shqiptare përbëhet nga të rinjtë dhe nëse shpaloset i gjithë potenciali i tyre, do të ketë prosperitet”, përfundoi znj. Agolli.
Ndërsa, znj. Plejada Gugashi, përfaqësuese e “The Olof Palme International Center”, gjatë diskutimit të saj u fokusua tek bashkëpunimi mes institucioneve dhe të rinjve, bashkëpunim i cili me anë të këtij ligji do të jetë më i fortë dhe frytdhënës për të dyja palët, si dhe vuri theksin tek mundësia me e madhe që do të kenë organizatat rinore për t’u mbështetur me fonde.
Takimi vijoi me diskutime në grupe, ku pjesëmarrësit mblodhën idetë e tyre lidhur me mekanizmat ligjore, burimet e financimit dhe rregullimet e tjera që duhet të përmbajë ky ligj. Në përfundim të takimit, të gjitha idetë e pjesëmarrësve ku u adresuan nevojat e rinisë shqiptare u mblodhën për t’iu paraqitur Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Leave a Reply