57.Qasja përmes një vizite të vetme
Çfarë është qasja përmes një vizite të vetme? Qasja përmes një vizite të vetme është një mënyrë, nëpërmjet së cilës mund të përfitojnë gratë që nuk kanë akses në shërbime të kancerit të qafës së mitrës, si për shembull, gratë në zonat rurale. Kjo realizohet përmes kontrollit pamor me acid acetik dhe trajtimit me krioterapi. Kontrolli pamor me acid acetik (VIA) është një metodë për zbulimin e ndryshimeve të hershme qelizore në qafën e mitrës. VIA kërkon përdorimin e një spekulumi, të një burimi drite, të acidit acetik 3-5% dhe të një ofruesi të trajnuar të kujdesit shëndetësor.
Ofruesi kryen një ekzaminim me spekulum, duke kontrolluar me kujdes qafën e mitrës për shenja të dukshme e të dyshimta të kancerit ose parakancerit. Me anë të një tamponi të madh pambuku, aplikohet lirshëm në qafën e mitrës një tretësirë acidi acetik 3-5%. Pas heqjes së tamponit të pambukut, ofruesi pret për të paktën një minutë, kohë gjatë së cilës çdo zonë që bëhet e bardhë e zbehtë thjesht për shkak të inflamacionit ose ndryshimeve fiziologjike të qelizave (metaplazi), do të zhduket. Zbardhjet e shkaktuara nga acidi në qafën e mitrës, që nuk zhduken pas një minute, ka gjasa të jenë të lidhura me parakancer ose kancer të qafës së mitrës. Krioterapia.
Zonat e lidhura me parakancer mund të trajtohen me krioterapi. Krioterapia eliminon zonat parakanceroze në qafën e mitrës me anë të ngrirjes (metodë amputive). Ajo përfshin aplikimin në qafën e mitrës të një disku metalik shumë të ftohur (kriosondë) dhe ngrirjen e zonave anormale (së bashku me zonat normale) të mbuluara nga ai. Tejftohja e kriosondës kryhet duke përdorur një enë me dioksid karboni (CO2) të kompresuar ose oksid azoti (N2O) të gaztë. Zgjat rreth 15 minuta dhe në përgjithësi tolerohet mirë, me përjashtim te disa shqetësimeve të lehta. Ajo mund të kryhet pa anestezi. Pas krioterapisë, zona e ngrirë kthehet në epitel normal.
Burimi: ACPD-Qendra për Popullsinë dhe Zhvillimin

Leave a Reply