Hyjnë në fuqi masat e reja mbi dhunën në familje
Prej 18 nëntorit hyjnë në fuqi edhe ndryshimet e reja ligjore përsa i përket dhunës brenda familjes. Në ndryshimet e reja ligjore i sigurohet më shumë mbrojtje të dhunuarës duke e larguar menjëherë dhunuesin nga banesa. Një grua merr menjëherë ndihmë nga policia, ndërkohë që më përpara duhet të prisje urdhrin e gjykatës.
Drejtuesja e linjës së këshillimit për gra dhe vajza, Iris Luarasi thotë se vitet e fundit dhuna në familje ka pësuar rritje, por gjithashtu janë rritur edhe denoncimet nga gratë. Në vitin 2019 në gjykatën e Tiranës janë shënuar 2555 çështje për divorce, ku në shumicën prej tyre përfshihet dhuna në familje dhe në vitin 2020-të, 2138 raste.
Ndryshimet ligjore parashikojnë edhe detyrimin e dhunuesve për të marrë pjesë në programe rehabilitimi psikosociale dhe në programe të aftësimit prindëror, të organizuara nga subjekte publike ose private, që vjen përmes urdhrit të mbrojtjes nga gjykata.
Sipas rasteve, gjykata urdhëron që dhunuesi të trajtohet në qendra të shëndetit mendor si dhe që të marrë shërbime të alkoologjisë, nëse është përdorues alkooli. Në këto programe mund të marrin pjesë edhe dhunuesit, të cilët po vuajnë dënimin me burg.
“Të punosh me dhunuesin është një nga mënyrat për të zgjidhur dhe për të reduktuar dhunën në familje”- është shprehur Iris Luarasi.
Në lidhje me strehimin e dhunuesit, autoritetet do të bashkëpunojnë me Bashkitë, për t’u siguruar strehë. Do të jetë gjykata që do të vlerësojë vendimin e policisë për largimin nga shtëpia.

Leave a Reply