Vaksina e parë kundër COVID-19 ofron 90% mbrojtje
Vaksina eksperimentale e kompanive Pfizer dhe BioNTech është më shumë se 90% efektive në parandalimin e Covid-19, bazuar në të dhënat fillestare nga një studim i kryer. Pfizer dhe partneri gjerman BioNTech janë prodhuesit e parë të ilaçeve që kanë raportuar të dhëna të suksesshme nga një provë klinike, në shkallë të gjerë, të një vaksine kundër koronavirusit. Kompanitë thanë se deri më tani nuk kanë hasur shqetësime serioze të sigurisë së shëndetit dhe pritet të kërkojnë autorizimin për përdorim në raste emergjence të vaksinës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Sot është një ditë e shkëlqyeshme për shkencën dhe njerëzimin,” tha në një deklaratë Albert Bourla, shefi ekzekutiv i Pfizer. “Ne jemi duke arritur këtë moment të rëndësishëm në zhvillimin e vaksinës në një kohë kur bota ka më shumë nevojë për të, duke marrë parasysh faktin që shifrat e infeksioneve që vendosin rekorde të reja dhe spitalet që po kalojnë kapacitetet”
Nëse autorizohet, numri i dozave të vaksinës fillimisht do të jetë i kufizuar. Shumë pikëpyetje mbeten për sa i përket kohës që vaksina do të sigurojë mbrojtje. Megjithatë lajmet japin shpresë se edhe vaksinat e tjera në zhvillim kundër koronavirusit të ri mund të jenë gjithashtu efektive.

Leave a Reply