Çfarë duhet të tërheqë vëmendjen e një gruaje, te gjiri i saj?
Dr. Henrik Zotaj
Disa nga shenjat që mund të jenë tregues të prezences se nje patologjie tumorale ne gjirin tuaj janë:
- Prekja e një mase, një kokërr në gji ose nën sqetull.
- Trashje ose ënjtje e një pjese të gjirit.
- Rrudhosje e lëkurës së gjirit dhe ndryshimi i ngjyrës së lëkurës në ngjyrë “portokalli”.
- Skuqje, majisje, çarje apo dëmtime të tjera të lëkurës së gjirit
- Shtrembërimet “arkitekturore” të pamjes së jashtme të gjirit.
- Tërheqje në brendësi ose gropëzim i thithit të gjirit.
- Rrjedhje, sekrecione nga gjiri duke përfshirë edhe gjakun.
- Asimetria e gjinjve, ndryshimi në madhësinë apo formën e gjirit.
- Fryrje ose ënjtje e lehtë e krahut etj
Nëse një grua apo vajzë ka simptomat e mësipërme, duhet të shkojë menjëherë te mjeku i familjes e me pas te mjeku specialist, për të kryer një ekzaminim klinik të gjirit.
Jo çdo ndryshim në gjirin tuaj është tumor.
Në të njëjtën kohë, nuk duhet të shqetësoheni nga këto ndryshime në strukturën e gjirit, sepse shumica e këtyre ndryshimeve shkaktohen nga patologji të gjirit, por që jane të parrezikshme për jetën, të tilla si:
Çrregullime të natyrës hormonale, tumore beninje, formacione kistike (të mbushura me likid), kalcifikuse, infeksione të ndryshme, gjendje inflamatore etj. të cilat shërohen me anë të trajtimit mjekësor.
Ekzistojnë disa mënyra për kontrollin e gjirit, siç janë:
- Vetëkontroll i gjirit.
Vetëkontrolli është metoda më e thjeshtë dhe duhet bërë të paktën një herë në muaj, me qëllim që çdo grua të njohë mirë gjirin e saj dhe të mund të dallojë çdo ndryshim të mundshëm të tijë, koha më e mirë është java e parë pas periodave.
- Ekzaminimi klinik i gjirit.
Kryhet nga një personel shëndetësor, kryesisht mjek familjeje ose mjek specialist – senolog ose onkolog.
- Mamografia
Mamografia mund t’i dallojë tumoret e gjirit rreth dy vjet para shfaqjes së shenjave, atëherë janë të gjitha mundësitë për t’u trajtuar me shumë sukses.
Carol Milgard Breast Center dhe TRA Medical Imaging këshillojnë gratë të bëjnë depistimin nëpërmjet mamografisë çdo vit, duke filluar nga mosha 40 vjeç.
Provat kanë treguar se gratë që kalojnë një mamografi vjetore pa e kryer, mund të humbin mundësinë për një diagnozë të hershme të tumorit të gjirit.
- Eko e gjirit
Këshillohet kryesisht për vajzat dhe gratë e moshës 20 deri 40 vjeç, çdo 2 deri 3 vjet dhe ato me risk më të lartë çdo vit.
- Rezonanca magnetike e gjirit:
RM e gjirit jep informacion të detajuar për të gjitha patologjitë e gjirit, në rastet kur metodat e tjera diagnostikuese si Mamografia apo EKO e gjirit, janë të pamjaftueshme, duke mundësuar diagnostikimin e saktë të sëmundjes.
Zbulimi i hershëm shpëton jetë!
Jo vetëm fjalë në Tetorin Rozë!
Në këtë muaj (tetor), por jo vetëm, strukturat shëndetësore dhe politik-bërësit duhet të krijojnë të gjitha lehtësirat, për t’iu dhënë mundësi grave dhe vajzave të kryejnë keto ekzaminime, kryesisht Imazherike.
Të sigurojë një numër optimal aparaturash imazherike si Mamografi dhe Eko, statike ose të lëvizshme.
Të organizojë dhe financojë fushata depistimi dhe sreening për gratë në rrisk dhe ato pa simptoma me qëllim zbulimin e hershëm të tumoreve të gjirit.

Leave a Reply