Mbi 700 raste të reja çdo vit me kancer gjiri, ekzaminimi i hershëm ju shpëton jetën
Nga Dr. Henik Zotaj
Tetori është vendosur si muaji i ndergjegjësimit për kancerin e gjirit në të gjithë botën. Qëllimi është për të rritur vemendjen dhe sensibilizimin, në parandalimin, zbulimin e hershëm, trajtimin dhe kujdesin paliativ të kësaj semundjeje.
Faktori më i rëndësishëm nga i cili varet suksesi i trajtimit të këtij tumori është: koha e zbulimit të sëmundjes; ndaj në shumë vende të botës organizohen fushata masive për depistimin e tumoreve të gjirit tek gratë në rrisk dhe të gratë pa simptoma, me qëllimin e vetëm zbulimin e hershëm.
Në Shqipëri diagnostikohen mbi 700 raste të reja çdo vit, me kancer te gjirit, ku mosha më e prekur është ajo midis 41 deri 59 vjeç por, vitet e fundit tumoret e gjirit po diagnostikohen edhe në mosha shumë më të reja.
Faktorët kryesore të riskut në tumoret e gjirit janë:
Histori familjare
Nëse nëna, vajza, motra apo gjyshja juaj kanë kaluar një tumor të gjirit, rrisku është gjithnjë e më i lartë të prekeni nga kjo patologji.
Mosha Sa më e madhe të jetë mosha e personit, aq më tepër rritet risku për t’u prekur, rreziku rritet në moshat mbi 40 vjeç, ndërsa midis moshës 50 deri në 75 vjec, ky rrezik dyfishohet.
Faktorë gjenetike (hereditare). Rreth 5–10 % e të gjithë pacientëve që diagnostikohen me kancer gjiri janë të lidhura me faktorë gjenetikë. Mutacioni në gjenet BRCA1, BRCA2 dhe p53, shkaktojnë një rritje të konsiderueshme të rrezikut për tumor të gjirit.
Faktorë Riprodhues
Favorizojnë këtë tumor:
- Lindjet e para mbi moshën 30 vjeç.
- Menopauzat e vonshme, pas moshës 55 vjeç
- Përdorimi i kontraceptiveve orale etj.
- Ekspozimi ndaj rrezatimit.
- Rrezatimet e të gjitha llojeve, për periudha të caktuara kohe, bëhen shkak për shpërthimin e një tumori të gjirit.
Ndryshimi i stilit të jetës, sic është:
- Dieta e pasur me yndyrna dhe mënyra e të ushqyerit.
- Konsumimi i alkolit dhe duhanit, rrit ne menyre modeste rrezikun per tumore te gjirit
- Obeziteti
Kryesisht te gratë post menopauz si dhe ulja e aktivitetit fizik, rrisin në mënyrë modeste rrezikun për t’u prekur nga një tumor i gjirit.

Leave a Reply