Një dekadë pranë qytetarëve në nevojë. Rrëfimi i Mariana Jorgjit
Më shumë se kurrë, gjatë pandemisë së Covid – 19 morën vëmendje grupimet e mbështetura nga organizatat ndërkombëtare, sic është UNFPA Albania, e këtu mund të përmendim grupet e vullnetarëve në mbarë vendin. Të rinj e të reja por jo vetëm, edhe ata që kishin më shumë se një dekadë që jepnin kontributin e tyre për njerëzit në nevojë, u aktivizuan dhe iu erdhën në ndihmë njerëzve në nevojë. Ata ishin aty për këdo që kishte nevojë, e në bashkëpunim me organizatat e ndryshme, mes tyre edhe UNFPA Albania, u fokusuan në ndihmën e familjeve në nevojë. Një prej tyre është edhe Mariana Jorgji, e cila ka më shumë se një dekadë që ka qenë pranë kësaj kategorie.
Pyetje JoTabu.al:
Gjatë pandemisë së Covid – 19, kohë kur qytetarët ishin izoluar, ju vendoset që të ishit pranë qytetarëve, pse kjo zgjedhje?
Mariana Jorgji:
Zgjedhja për të qenë pranë njerëzve në nevojë vjen si rezultat jo vetëm i profesionit tim por edhe dëshirës, pasionit për të ndihmuar njerëz në nevojë. Ndihesh e plotësuar kur shikon fytyrat dhe sytë e fëmijëve të cilët presin shpresë nga ty si për t’i dhënë vazhdimësi jetës.
Unë kam rreth 15 vjet që punoj në sektorin social dhe gjithmonë kam punuar me komunitetet në nevojë, komunitetet e margjinalizuara apo fëmijë në situata të vështira sociale dhe ekonomike.
Puna për mua, si punonjëse sociale ka filluar në terren dhe sot që flas, jam drejtuese e Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror në Korçë (prej 7 vitesh). Ndërkohë gjatë kësaj periudhe kam qenë pjesë e pandarë e Observatorit për të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve, si dhe bashkëpunuese e shumë projekteve sociale të cilat në qendër kanë pasur njerëzit në nevojë. Pra përveç formimit tim edhe eksperienca në punën e përditshme ka qenë një shkollë më vete.
Pyetje Jotabu.al:
A kishit frikë që duke ndihmuar qytetarët gjatë pandemisë, mund të rrezikonit vetën dhe familjen dhe të prekeshit nga virusi i Covid – 19.
Mariana Jorgji:
“Sigurisht që frika ishte, por mendova që duke pasur kujdes dhe respektuar masat e duhura, nuk do të kishte rrezik, për më tepër do të merrje urimet e shumë njerëzve të cilët nuk kishin asgjë në ato momente. Dhe kjo gjë ndodhi”.
Pyetje Jotabu.al:
Si jeni gjendur në grupin e vullnetarëve, pse kjo zgjedhje?
Mariana Jorgji:
“Në fakt me vullnetarët më ka lidhur Organizata e Observatorit për Të Drejtat e Fëmijëve dhe të Rinjve, me të cilët kam që prej 10 vitesh që bashkëpunoj, mësoj dhe realizojmë gjëra të bukura.
Me vullnetarët ndihesha edhe unë e re (qesh) dhe ndjeja që po kontribuoja për të mirën e komunitetit”.
Pyetje Jotabu.al:
Duket se ju do të vijoni me punën tuaj vullnetare, pra ju do të vijoni edhe gjatë viteve të ardhshme që të jeni pranë njerëzve në nevojë?
Mariana Jorgji:
“Përderisa e gjithë puna ime lidhet me kontributin në fushën sociale, jam trajnuar, kam krijuar eksperiencën e duhur për të ndihmuar njerëzit në nevojë, patjetër që mendoj të vazhdoj të jem pranë njerëzve në nevojë”.

Leave a Reply