Mjekja apel të fortë grave shtatzëna dhe nënave të reja: Këshillat që duhet të zbatoni për t’u mbrojtur nga COVID-19
Alketa Hoxha, shefja e Neonatologjisë në Maternitetin “Koço Gliozheni”, duke parë situatën e shkaktuar nga pandemia COVID-19, vjen me një apel drejtuar nënave të reja apo atyre që pritet të sjellin në jetë një fëmijë.
Përmes një mesazhi në ‘Facebook’, të publikuar në faqen e ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, mjekja pediatre i bën thirrje grave shtatzëna dhe nënave më fëmijë të porsalindur që të zbatojnë protokollin dhe të kenë kujdes.
“Rregullat për të parandaluar COVID19 duhet të jenë të zbatueshme nga të gjithë. Ne kemi një kategori shumë më të ndjeshme siç janë gratë shtatzëna, nëna me fëmijë në gji, nënë që kanë fëmijë të lindur me probleme që duhet të mbrohen patjetër. Ju lutem të heqim dorë në këto momente nga ardhjet e panevojshme dhe mbingarkesat në maternitete që t’i japim mundësi fillimit të jetës pa asnjë problem”.
Ndër të tjera pediatria këshillon nënat të mos ndahen nga foshnjat e tyre dhe të ushqejnë fëmijët me qumësht gjiri që të jenë sa më të mbrojtur. “Një këshillë të veçantë për të gjitha nënat, të cilat duke ndjekur rregullat, në asnjë mënyrë të mos ndahen nga foshnjat e tyre dhe në asnjë mënyrë të mos ndërpresin ushqimin me qumësht gjiri për t’u mbrojtur sa më mirë”,është shprehur ndër të tjera mjekja.

Leave a Reply