Të rinjtë dhe COVID-19/ Ndikimi i pandemisë tek shëndeti mendor i të rinjve
Ndjesia e mërzitjes, stresit dhe ankthit gjatë kësaj periudhe kur po përballemi me pandeminë COVID-19 është krejtësisht normale. Nuk është vetëm frika dhe ankthi i shkaktuar nga sëmundja e koronavirusit, por edhe të qenët larg nga miqtë, të afërmit, shkolla.
Kjo periudhë është sidomos e vështirë për fëmijët dhe adoleshentët. Ekspertja e shëndetit mendor Dr. Lisa Damour jep disa këshilla për adoleshentët si mund të përballojnë situatën e krijuar nga COVID-19.
Të kuptojnë që ndjesia e ankthit është krejtësisht normale gjatë kësaj periudhe
Nëse mbyllja e shkollave dhe titujt alarmues nëpër media dhe rrjete social po ju shkaktojnë ankth, nuk jeni të vetmit. Madje, kështu supozohet që të ndiheni. Psikologët kanë pranuar prej kohësh që ndjesia e ankthit është normale, madje na ndihmon të jemi më vigjilent ndaj rreziqeve dhe të marrim masa për t’u mbrojtur: të ruajmë distancën me të tjerët dhe të shmangim vendet e mbipopulluara, të lajmë duart rregullisht dhe të evitojmë prekjen e fytyrës.
Këto ndjesi na ndihmojnë që të jemi më të kujdesshëm edhe ndaj familjarëve.
Por, ndërsa ndjesia e ankthit gjatë kësaj periudhe është krejtësisht e kuptueshme, sigurohuni që të përdorni burime të besueshme (si OBSH, UNICEF) për të marrë informacione mbi COVID-19.
Gjithashtu, nëse dyshoni se keni simptoma të COVID-19, është shumë e rëndësishme që të vini në dijeni prindërit. Përgjithësisht, fëmijët dhe të rinjtë shfaqin simptoma të lehta të koronavirusit, që mund të trajtohen lehtësisht. Megjithatë, është shumë e rëndësishme që të flisni me prindërit ose me një të rritur të cilit i besoni, nëse nuk ndiheni mirë ose jeni të shqetësuar.
Zbavituni, gjeni diçka që ju largon vëmendjen nga realiteti
Psikologët sugjerojnë që në situata të tilla të vështira, është shumë e rëndësishme ndarja e problemit në dy kategori: gjërat për të cilat mund të bëj diçka, dhe gjërat që nuk kam asgjë çfarë të bëj.
Për momentin, shumë gjëra kalojnë në kategorinë e dytë, megjithatë, është shumë e rëndësishme që të gjeni gjëra që ju zbavisin dhe nuk thyejnë rregullat e karantinimit: lexoni libra, shikoni filma, bëni punë shtëpie etj.
Gjeni mënyra për të mbajtur kontakte me miqtë
Nëse doni të shpenzoni kohë me miqtë ndërkohë që ndiqni rregullat e distancimit social, rrjetet sociale janë një mënyrë e mirë për të mbajtur kontakte me ta. Bëhu kreativ: bashkohu sfidave në Tik-Tok, si #safehands.
Megjithatë, nuk është ide e mirë që të qëndroni gjatë gjithë kohës para pajiseve elektronike ose në rrjetet sociale. Kjo vetëm sa mund t’jua shtojë ankthin. Është e rëndësishme që të përcaktoni një kohë fikse për përdorimin e pajisjeve elektronike.
Fokusohuni tek vetja
Keni dashur të mësoni diçka të re, të mësoni ndonjë instrument muzikor apo të shkruani poezi, poema? Është momenti i duhur. Duke u fokusuar tek vetja dhe gjetur mënyra të reja për të kaluar kohën është një mënyrë e mirë për t’u kujdesur për shëndetin mendor.
Lëreni veten të përjetojë të gjitha ndjesitë
Pamundësia për të dalë me miqtë, të zhvillosh aktivitetet e përditshme, hobit, sportet është vërtet trishtuese. Por, mënyra më e mirë për ta përbylluar këtë situatë është duke e lënë veten të përjetojë të gjitha ndjesitë, edhe ato të këqijat. Duke ndjerë mërzitinë, ju do të filloni të ndiheni mirë shumë shpejtë.
Sillu mirë me veten dhe me të tjerët
Disa adoleshentë po përballen me bullizmin dhe forma të tjera të dhunës për shkak edhe të gjendjes së shkaktuar nga COVID-19. Nëse vëren që një shok është pre e bullizmit apo dhunës, përpiqu ta mbështesësh dhe ndihmosh. Duke mos bërë asgjë, e bën atë person të besojë që të gjithë janë kundër tij dhe askujt nuk i intereson. Fjalët e tua mund të bëjnë diferencën.
Dhe mos harro: Tani më shumë se kurrë duhet të jemi më të kujdesshëm me veprimet ose fjalët, pasi mund të lëndojmë të tjerët.
Burimi: UNICEF/ Përshtati në shqip: JoTabu.al

Leave a Reply