Është alergji, grip apo koronavirus? Si të bëni dallimin
Koronavirusi ka infektuar më shumë se 100 mijë njerëz në të gjithë botën. Me gjithë ato informacione, udhëzime (lani duart), masa të ndërmarra (qëndroni në shtëpi), është normale që njerëzit të ndihen të frikësuar sa herë ndiejnë dhimbje fyti ose kanë kolle.
Profesori i sëmundjeve infektive tek Mayo Clinic, Dr. Greg Poland, shpjegon ndryshimet mes simptomave të një alergjie tipike, ftohjes dhe gripit, dhe ato të lidhura me koronavirusin.
Sy të skuqur? Rrjedhje hundësh? Ndoshta keni alergji.
Alergjitë sezonale prekin zakonisht sytë dhe hundën. Simptomat e alergjive kanë tendencën të lokalizohen në pjesën e kokës.
Simptomat e koronavirusit dhe gripit kanë tendencën të jenë më sistematike.
Pra, vihen re në të gjithë trupin. Gripi dhe koronavirusi i ri ndikojnë te sistemet e tjera dhe te trakti i poshtëm i frymëmarrjes. Me siguri nuk do të keni rrjedhje hundësh, por mund të keni dhimbje fyti, kollë, ethe, gulçim. Pra, është diagnozë klinike krejtësisht ndryshe. Kushtojini vëmendje temperaturës. Zakonisht alergjitë nuk shkaktojnë ethe dhe temperaturë. Madje nuk shkaktojnë as probleme me frymëmarrjen, gjithmonë në rast se nuk keni probleme me astmën.
Simptomat e alergjisë sezonale janë përgjithësisht të lehta dhe kanë të njëjtën periudhë shfaqjeje
Nëse shfaqni të njëjtat simptoma në të njëjtën periudhë si një vit më parë, mundësitë janë më të larta që të jeni duke përjetuar alergji sezonale.
Koronavirusi dhe gripi mund të shkaktojë simptoma më të rënda
Nëse keni një rast akut me koronavirus ose grip, do të ndiheni shumë të lodhur, keni dhimbje të forta, pra me pak fjalë doni vetëm të qëndroni shtrirë. Gjithkush mund të bëjë dallimin, thotë dr. Poland.
Mund të ndiheni të lodhur edhe si pasojë e alergjive sezonale, megjithatë nuk do t’ju shkaktojnë dhimbje të shumta të muskujve ose kyçeve.
Simptomat e ftohjes dhe gripit të lehtë përgjithësisht lehtësohen vetvetiu
Duke pushuar dhe u kujdesur mirë për shëndetin, do të filloni të ndiheni më mirë brenda pak ditësh (vetëm nëse jeni i moshuar ose vuani nga probleme të tjera shëndetësore, periudha e shërimit do të marrë më shumë kohë).
Simptomat e koronavirusit dhe gripit akut mund të përkeqësohen me kalimin e kohës
Nëse jeni prekur nga gripi ose koronavirusi, mund të përkeqësoheni atëherë kur prisni të bëheni më mirë. Kjo është një nga shenjat kryesore që duhet të kërkoni kujdes mjekësor.
Çfarë duhet t’ju bëjë të dyshoni për koronavirus është vështirësia në frymëmarrje. Njerëzit gjithashtu kalojnë në pneumoni nga gripi, ndaj do të duhet kujdes mjekësor nëse simptomat nuk përmirësohen.
Simptomat e hershme të alergjisë, të ftohtit, gripit dhe koronavirusit mund të jenë të ngjashme
Fazat e para të ftohjes, gripit dhe koronavirusit mund të jenë shumë të ngjashme. Prandaj duhet t’u kushtoni vëmendje simptomave për të parë nëse vazhdojë dhe përkeqësohen edhe më keq, sidomos nëse jeni në grupin më të rrezikuar: të moshuarit, njerëzit që vuajnë nga astma, sëmundje të tjera të mushkërive, sëmundje të zemrës ose diabetit, si dhe gratë shtatzëna.
Edhe nëse nuk keni koronavirus, s’do të thotë se nuk jeni të rrezikuar
Sipas të dhënave, këto muajt e fundit, afro 30 milionë amerikanë u infektuan me grip, nga të cilët humbën jetën 30,000 ndërkohë që 500 u shtruan në spital. Kjo do të thotë që të mos e neglizhoni gripin.
Burimi: CNN / JoTabu.al

Leave a Reply