Studimi i ri: Sa ditë duhen mesatarisht që të shfaqen simptomat e koronavirusit
Përshtati në shqip: Arlinda Rexhmati
Njerëzit mund të jenë të prekur nga koronavirusi i ri dhe të mos shfaqin simptoma për 5 ditë, sipas një studimi të ri.
Periudha mesatare e inkubimit të virusit është rreth 5.1 ditë, sipas një studimi të ri të kryer nga Shkolla e Shëndetit Publik “Johns Hopkins”, dhe të publikuar në revistën mjekësore “Kronikat e Mjekësisë së Brendshme”.
Shkencëtarët përdorën të dhëna publike rreth përhapjes së sëmundjes, duke përfshirë raportime lajmesh, raportime të shëndetit publik dhe njoftime për shtyp nga një numër i madh vendesh në të gjithë botën, në një përpjekje për të kuptuar se sa kohë kërkon sëmundja që të shfaqet, nga ekspozimi deri tek shfaqja e simptomave.
Ata analizuan 181 raste të zbuluara para 24 shkurtit. Më pas kontrolluan nëpër raportimet e bëra, për të gjetur rastet që kishin informacione të detajuara rreth kohës kur këta persona mund të ishin ekspozuar për herë të parë dhe më pas se kur kishin shfaqur simptomat e para.
Shumica e rasteve të analizuara kishin lidhje me Hubein, provincën ku sëmundja mendohet të ketë filluar, dhe kryeqytetin e saj Wuhan. Pjesa më e madhe ose kishin udhëtuar drejt kësaj zone apo nga kjo zonë, ose kishin pasur kontakt me persona që kishin bërë këtë.
Vlerësimet e reja do t’i lejojnë shkencëtarët që të kenë një ide më të mirë se si mund të ndodhë përhapja e virusit, dhe se si mund të parandalohet kjo në mënyrën më të mirë, nëpërmjet karantinave dhe masave të tjera.
Analiza tregoi se 97.5% e njerëzve që do të kenë simptoma të sëmundjes, do t’i kenë ato brenda 11.5 ditëve pas ekspozimit të parë. Shkencëtarët vlerësuan se nëse 10,000 persona do të vendoseshin në karantinë për dy javë, vetëm 101 prej tyre do të zhvillonin simptoma pas daljes.
Kjo sugjeron se këshilla e tanishme, për një periudhë 14 ditore kuarantinimi, është e saktë.
“Bazuar në analizën tonë të të dhënave të disponueshme publikisht, rekomandimi aktual për një periudhë 14 ditore monitorimi aktiv apo kuarantinimi është i arsyeshëm, edhe pse gjatë kësaj kohe disa raste do të kalojnë pa u kapur dot”, u shpreh Justin Lessler, autori kryesor i studimit.
Burimi: Independent

Leave a Reply