Pse po më vonohet puberteti?
Kisha dy pyetje për mjekun. Së pari, pse po më vonohet puberteti edhe pse jam 14-vjeçar? Dhe së dyti, doja të dija pse njëra anë e gjoksit është më e ngritur? E kam të lindur këtë problem.
Përgjigjja nga mjeku androlog Evin Dani
Së pari duhet të dimë se puberteti i vonuar ndahet në dy grupe:
- Pubertet i vonuar i vërtetë
- Pubertet i vonuar konstitucional
Puberteti i vonuar i vërtetë ka të bëjë me një patologji serioze të gjendrave hormonale si pasojë e mungesës së sekretimit të testosteronit. Është kryesisht e lindur. Me pasoja serioze në zhvillimin e djalit. Do të ketë mungesë të shenjave sekondare seksuale, moszhvillimin e organeve seksuale, si dhe uljen e aktivitetit seksual. Në këto raste mundësia për infertilitet është shumë e madhe. Për fat të mirë këto raste janë të pakta!
Puberteti i vonuar konstitucional ka të bëjë me rastet kur djali në prag puberteti ka vonesa të shenjave sekondare seksuale dhe mund të dallohet nga shokët e moshës.
Por me kalimin e viteve ai arrin shokët me dukjen e tij, rritet në shtat, në organet seksuale dhe nuk ka asnjë problematikë. Në këto raste ka të bëjë trashëgimia apo mënyra e rritjes së tij në prag puberteti: ushqimi i pakët, mosrritja në kolektivitet. Sidoqoftë është një rast që duhet vlerësuar nga mjeku me praninë e pacientit.
Lidhur me pyetjen e dytë, personi nuk është shumë i qartë në artikulimin e problematikës. Megjithatë, për të hequr dyshimet e tij është mirë t’i drejtohet drejtpërdrejt mjekut.

Leave a Reply