Fibroadenoma (tumori i gjirit që prek moshat nën 30), simptomat dhe shkaktarët
Fibroadenomat janë tumore të ngurta, beninje (jo kanceroze) të gjirit që shfaqen më shpesh tek vajzat adoleshente dhe femrat nën moshën 30 vjeç. Mund ta përshkruani fibroadenomën si një masë e ngurtë, e kufizuar mirë dhe e butë në prekje. Është një formacion në gjoks që mund të ndihet lehtësisht poshtë lëkurës, por që zakonisht nuk sjell dhimbje.
Fibroadenomat ndryshojnë në madhësi dhe mund të zmadhohen ose tkurren vetvetiu. Ato janë gjendra të gjirit më të përhapura tek femrat e reja.
Simptomat:
Fibroadenomat janë masa ose gjendra solide të gjirit që zakonisht:
- Rrethohen nga vija të dallueshme
- Lëvizin lehtësisht
- Të ngurta ose kockore
- Të padhembshme
Kur e prekni gjirin, mund të ndieni sikur keni një mermer brenda lëkurës. Mund të keni një ose disa fibroadenomë. Ato ndryshojnë në madhësi, duke filluar nga shumë të vogla (mund të zbulohen vetëm me mamografi ose eko gjiri), deri në 8 centimetra ose më shumë.
Kur duhet të shkoni tek mjeku
Edhe tek gratë që janë në gjendje të mirë shëndetësore indet normale të gjirit shpesh duken si gjendra. Nëse vëreni ndryshime në gjoks, ose një gjendër të re që fillon të rritet dhe ndryshon me kohën, lini një takim me mjekun.
Shkaktarët
Nuk dihet saktësisht çfarë i shkakton fibroadenomat, megjithatë ekspertët mendojnë se lidhen me hormonet riprodhuese. Ato shfaqen më shpesh gjatë viteve riprodhuese, mund të zmadhohen më shumë gjatë shtatzënisë ose kur përdorni terapi hormonale, ose mund të tkurren pas menopauzës, kur fillojnë të ulen nivelet e hormoneve.
Ndërlikimet
Shumica e fibroadenomave nuk janë të rrezikshme. Por, ka raste kur rreziku për zhvillimin e kancerit rritet në mënyrë të konsiderueshme kur ato përmbajnë ciste anormale ose inde të ngjeshura, të patejdukshme.
Përgatituni për një takim me mjekun
Duhet të bëni një vizitë tek mjeku i familjes ose gjinekologu. Është mirë që të përgatiteni për këtë takim duke ditur këto informacione:
Çfarë mund të bëni:
Kujdes me kufizimet para takimit: Kur lini një takim, pyeteni mjekun nëse duhet të bëni ndonjë gjë më parë, për shembull nëse duhet të ndiqni një dietë më strikte.
Tregoni për të gjitha simptomat që keni përjetuar, përfshirë edhe ato që nuk kanë lidhje me ndryshimet në gjoks.
Tregoni për detaje personale, si sëmundjet e mëparshme ose gjendjen shëndetësore aktuale.
Bëni një listë të të gjitha medikamenteve (përfshirë edhe vitaminat ose suplementet) që po merrni.
Merrni një pjesëtar familje ose shoqe me vete, nëse keni mundësi. Ai /ajo mund t’ju rikujtojë diçka që e keni harruar.
Shkruani më parë pyetjet që duhet t’i bëni mjekët, duke i renditur sipas rëndësisë.
Disa nga pyetjet më të domosdoshme që duhet t’i bëni mjekut janë:
- Çfarë mendoni se mund të jetë kjo gjendër?
- Çfarë testesh duhet të bëj? A duhet të bëj ndonjë përgatitje paraprake për to?
- Çfarë trajtimesh ofrohen aktualisht për to?
- A keni ndonjë broshurë apo artikull të shkruar në lidhje me fibroadenomës. Çfarë uebsajtesh me rekomandoni?
Mos hezitoni të bëni edhe pyetje të tjera që mund t’ju vijnë në mendje gjatë takimit.
Pyetjet që mund t’ju shtrojë mjeku:
- Kur e keni vënë re gjendrën? A është zmadhuar që nga ai moment?
- A ndryshon madhësi gjëndra gjatë periudhës së ciklit menstrual?
- A ka pasur apo ka ndonjë nga pjesëtarët tuaj të familjes probleme me gjoksin?
- A është gjëndra e butë apo e dhimbshme?
- A keni rrjedhje nga thithka e gjoksit?
- A ka vuajtur ndonjë i afërm i juaji nga kanceri në gji.
- A keni bërë ndonjëherë mamografi? Nëse po, kur?/ JoTabu.al
Leave a Reply