Pyet mjekun: A shërohet endometrioza?
Përshëndetje!
Endometrioza: A shërohet dhe si, a ka ndonjë metodë popullore apo ndonjë metodë tjetër? Me respekt Neti.
Përgjigjet dr. Kozeta Mustafaraj, mjeke gjinekologe
Endometrioza është një çrregullim i dhimbshëm, ku indet, të cilat normalisht ndodhen brenda në mitër (endometër), rriten jashtë mitrës. Më shpesh prek vezoret, zorrët dhe indet pelvike (pjesa më e poshtme e brendësisë së barkut). Rrallë ndodh që indet mund të shpërndahen jashtë këtij regjioni. Kur ato nuk mund të dalin jashtë trupit, atëherë vjen deri te grumbullimi në organin ku janë implantuar, pastaj indet strehuese irritohen duke shkaktuar dhimbje shumë të forta, sidomos gjatë menstruacioneve dhe, si pasojë e gjithë kësaj, krijohen reaksionet pezmatuese, krijimi i kisteve.
Cilat janë simptomat e endometriozës
- Menstruacione të dhimbshme, dhembjet pelvike mund të nisin para ardhjes e të zgjatin disa ditë gjatë ciklit
• dhembje gjatë marrëdhënieve apo dhe pas tyre
• dhembje gjatë lëvizjeve të zorrëve apo gjatë urinimit
• hemorragji e shtuar gjatë ciklit ose hemorragji midis 2 cikleve
• Infertilitet
• simptoma të tjera: lodhje, diarre, fryrje të barkut, të përziera, sidomos gjatë ciklit
Kur shfaqet
Endometrioza zhvillohet disa vite pas ardhjes së ciklit menstrual (menarka), qetësohet përkohësisht gjatë shtatzënisë dhe qetësohet më shumë me hyrjen në menopauzë.
Diagnoza
Për të ardhur deri te diagnoza e saktë, në radhë të parë preferohet që të bëhet sa më shpejt një bisedë e gjatë me mjekun tuaj, pra një ekzaminim gjinekologjik. Kontrolli që duhet bërë nga mjeku kalon në disa faza:
-Pyetjet lidhur me simptomat e dhimbjes dhe në përgjithësi gjendja e pacientit.
Kjo quhet ndryshe anamneza. Gjatë kësaj faze mjeku informohet mbi gjendjen e pacientit
-Ekzaminimi bimanual dhe ekzaminimi me ultrazë
Gjatë ekzaminimit bimanual (me dorë) duhet patjetër të kërkohen anomalitë pelvike, prania e kisteve, si edhe nëse ka ngjitje të organeve për rreth mitrës. Më pas na ndihmon ultrazëri abdominal apo transvaginal, i cili na tregon praninë e kisteve endometriotike.
– Analiza laboratorike
Merret gjaku komplet për ta diferencuar nga infeksionet pelvike, markuesi CA125 me sensibilitet të ulët, markuesi ÇR1 mRNA me sensibilitet më të lartë.
-Laparoskopia
Është e vetmja mënyrë për të siguruar praninë e endometriozës, shtrirjen e saj dhe mjekimin. Kjo është vlerësuar si mënyra më e saktë.
Trajtimi
Para fillimit të terapisë duhet patjetër të bisedoni me mjekun tuaj për të kuptuar qëllimin dhe atë çka duam të arrijmë. Trajtimi mund të jetë kirurgjikal ose medikamentoz. Zgjedhja varet nga graviteti i sëmundjes, shenjat dhe dëshira për të patur fëmijë.
Trajtimi hormonal është efektiv në lehtësimin e dhembjeve.
-Kontraceptivët kontrollojnë ndryshimet menstruale ciklike mujore. Kjo lehtëson dhe dhembjet në format e lehta dhe të mesme.
-Gonadotropin-releasing hormone (Gn-RH) agonists.
-Danazoli.
-Medroxy-progesterone(Depo-Provera).
Trajtimi hormonal është efikas vetëm në kohëzgjatjen e mjekimit. Pas ndërprerjes së tij, simptomat e endometriozës (dhembja) kthehet sërish.
Trajtimi kirurgjikal mund të jetë konservator (kur femra dëshiron të ruajë fertilitetin) ose radikal.
-Kirurgjia konservatore, që synon vetëm në heqjen e vatrave të endometriozës, kisteve endometriotike, apo heqjen e aderencave të brendshme nëpërmjet laparoskopisë apo kirurgjisë së hapur, duke ruajtur tërësinë e aparatit riprodhues.
-Kirurgjia radikale rezervohet në format e rënda të endometriozës ose kur femra e ka mbyllur planifikimin familjar. Në trajtimin kirurgjikal radikal kryhet histerokotomi totale bashkë me heqjen e vezoreve.
Duke qenë se endometrioza dëmton fertilitetin femëror, qoftë për një shtatzëni natyrale, por edhe përmes një Fertilizimi In Vitro, rekomandohet që femrat e prekura me endometriozë të mendojnë disi më shpejt për të patur fëmijë./ JoTabu.al
Leave a Reply