Mjeku infeksionist Arjan Harxhi: OBSH në 2023 e ka deklaruar HIV/AIDS sëmundje jovdekjeprurëse
Intervistoi: Anjela Hajdari
Mbi 800 raste me HIV/AIDS trajtohen aktualisht në Shqipëri. Numri i të infektuarve mund të jetë më i lartë, por shqiptarët neglizhojnë testimin. Mjeku infeksionist Arjan Harxhi bën thirrje për rritjen e numrit të testimeve veçanërisht mes grupeve të popullatës më në risk, përfshirë gratë shtatzëna në muajt e parë të shatzënisë. Së shpejti diagnostikimi do të bëhet edhe nëpërmjet testeve të shpejta.
1.Çfarë është HIV/AIDS?
Infeksioni i virusit të mungesës së imunitetit të njeriut dhe sindroma e mungesës së imunitetit të fituar (HIV/AIDS) është një sëmundje seksualisht e transmetueshme (SST).
HIV është një virus që sulmon qelizat që ndihmojnë trupin të luftojë infeksionin, prek sistemin imunitar, duke e bërë një person më të prekshëm ndaj infeksioneve dhe sëmundjeve të tjera. Kryesisht përhapet më së shpeshti gjatë seksit të pambrojtur , ose nëpërmjet përdorimit të pajisjeve të përbashkëta të drogës për injeksion, ose transmetohet nga nëna te fëmija.
Nëse nuk trajtohet, HIV mund të çojë në sëmundjen SIDA.
2.A kanë mjaftueshëm informacion të rinjtë shqiptarë rreth HIV/AIDS?
Kjo është një pyetje që noramlisht duhet t’i jepet përgjigje duke bërë studime në popullatë për të parë që a ka informacion, por problemi i HIV-it ka të bëjë jo vetëm me informacionin por edhe me sjelljet e rrezikshme. Mund të kesh informacion dhe prapë angazhohesh në sjellje të rrezikshme dhe mund të infektohesh.
3.Cfarë simptomash kanë zakonisht personat e infektuar me HIV/AIDS, nga më të lehtat deri te më të rëndat? Me cfarë sëmundjesh të tjera bashkëshoqëruese shoqërohet ky infeksion?
Vecori e epidemisë së HIV-it në Shqipëri është se një pjesë shume e madhe, në më shumë se gjysma, pothuajse 50%-60% diagnostikohen në stade të avancuara, quhet diagnozë e vonuar. Kur vijnë dhe diagnostikohen kanë stade të dytë dhe të treta të infeksionit me nivelin e imunitetit që manifestohen nga niveli i CD4, në momentin e diagnozës që është shumë e ulët, 150, nën 200, që është stadi AIDS. Pra 40% e tyre janë në stadin AIDS, që tregon që diagnoza është e vonuar dhe numri i testimeve në Shqipëri është i vogël.
HIV mbi 10 vjet nuk jep shenja dhe gjithë celësi i diagnozës është testimi, sepse kur shfaqen shenjat është vonë. Pra nuk kanë shumë rëndësi shenjat klinike, sepse shenjat nuk janë shumë specifike për HIV-in, janë edhe për shumë sëmundje të tjera. Me HIV mund të kesh temperaturë, dhimbje fyti, gjëndra, shenja në lëkurë që janë edhe tregues i sëmundjevë te tjera. Pa dyshim që një temperaturë e pashpjegueshme, një rënie në peshë, ftohje të herë pas hershme, shfaqja e mykut në lëkurë, në mukoza, shenjat në lekurë që si ke pasur më para, alergji, limfonodulat, shfaqja e diarresë, shfaqja e zjarrit të natës, mund të jenë tregues i një infeksioni, por çelësi është testimi.
Përsa i përket infeksioneve bashkëshoqëruese mund të përmendim HIV-in me hepatitin, HIV dhe sifiliz, HIV dhe tuberkuloz. Këto janë infeksionet më shumë bashkëshoqëruese të rasteve me HIV.
4.Cilat janë moshat më të prekura dhe më të riskuara nga HIV/AIDS?
Moshat më të prekura janë ato seksualisht aktive, 20-40 vjec. Ka një tendencë që po ulet mosha e të infektuarve,meqënëse këto janë meshkuj të rinj, janë meshkuj që infektohen si pasojë e raporteve të meshkujve që bëjnë seks me meshkuj.
5.Po popullatat më të riskuara cilat janë?
Popullatat më të riskuara janë meshkujt që bëjnë seks me meshkujt (MSM, LGBT). Për fat të mirë nuk kemi përdorues droge të identifikuar me HIV/AIDS. Grupi i dytë, ose më saktë si rrugë transmetimi, është transmetimi vertikal, rrezikimi që kanë fëmijët e vegjël të marrin HIV/AIDS nga nëna.
6.Ndërmjet këtyre grupeve, femrat apo meshkujt preken më shumë?
Rreth 3/4 e të infektuarve të diagnostikuar janë meshkujt dhe rreth 1/4 janë femra.
7.Cilat janë mënyrat e transmetimit?
Mbi 95% të rasteve në Shqipëri janë infektuar në rrugë seksuale. Sipas raportit, asaj që deklarojnë, 80% heteroseksualë dhe mbi 10% homobiseksualë, por unë mendoj që ky është një nënraportim se shumica e pacientëve meshkuj për shkak të stigmës nuk e deklarojnë statusin e tyre që janë homoseksualë. Fakti që kemi këtë raport meshkuj-femra, shumica e atyre meshkujve që raportohen si hetero janë transmetimi homobi.
Ndërkohë që një element tjetër që e permenda pak më sipër është që për fat të keq vazhdojmë të kemi ndonjë rast të transmetimit vertikal nga nëna te fëmija, meqënëse testimi para lindjes i gruas shtatzënë mbetet problematik në Shqipëri. Jo të gjitha gratë testohen. Nëse ti testohesh dhe del pozitiv me HIV , do marrësh mjekime, terapi dhe zbatohen ato që quhen protokolle të parandalimit të transmetimit vertikal dhe fëmija del jo i infektuar. Vjet ne kishim 3 raste të reja me infeksion HIV te të porsalindurit, ku nuk ishin testuar nënat. Kjo është rruga e dytë e transmetimit.
Rrugë të tjera përgjithësisht në Shqipëri nuk ka, sepse gjaku kontrollohet për fat të mirë, as në përdorues drogërash nuk kemi transmetim të HIV-it.
8.Po testimi për HIV/AIDS ku bëhet?
Testimi bëhet edhe në laboratore publike, në Drejtorinë e Higjenës të Shëndetit Publik, në Institutin e Shëndetit Publik, në spitalet rajonale, në QSUT, gjithashtu edhe në laboratorët private. Sot po tentohet të futen edhe testet e shpejta në komunitet, për shembull: shoqatat e LGBTQ, te shoqatat e përdoruesve të drogës që ofrojnë testim, apo edhe testet e shpejta në farmaci në mënyrë që të ketë sa më shumë akses ndaj testimit. Është shumë e rëndësishme kjo.
9.Në bazë të përvojës tuaj, si reagojnë pacientët kur marrin vesh për këtë sëmundje? Ato vijnë vullnetarisht për testim apo janë rekomanduar nga ofrues të tjerë të kujdesit shëndetësor në bazë të simptomave që shfaqin?
Një pjesë e vogël janë vetëtestuar. Numri i vetëtestimeve është shumë i vogël, kështu që shumica e tyre janë vetëtestuar ngaqë janë rekomanduar nga një profesionist i kujdesit shëndetësor. Pa dyshim që një pjesë e tyre e kanë marrë këtë informacion, lajmin nga vendi që janë diagnostikuar, për shembull nga laboratori i referencës që është pranë ISHP apo laboratorët e tjerë ku janë diagnostikuar, por marrja e njoftimit se ke një infeksion vdekjeprurës është shumë e rëndë. Pa dyshim që është një moment stresi, emocionesh të forta. Ato janë shumë të ngarkuar psikologjikisht. Ne kemi këtu në pikën ambulatore edhe psikolog apo punonjës social që na ndihmojnë për këtë punë. Është një moment i vështirë që kalon me ndihmën e personelit. Jemi më bindës se çkemi qenë kohë përpara, meqënëse disponojmë mjete për t’i mjekuar dhe këto janë ilaçet, barnat antiretroviralë që bëjnë të mundur që këto të sëmurë të gëzojnë një jetë të shëndetshme. Ky trajtim është një garanci që i japim që në filllim të sëmurëve që ky infeksion nuk është më vdekjeprurës.
10.Si procedohet me këto pacientë që tashmë janë pozitivë me HIV?
Trajtimi bëhet vetëm në shërbimin infektiv. Shumica e tyre ndiqen në kushte ambulatore, por që varet nga grada/stadi i sëmundjes. Nëse manifestojnë sëmundje që janë treguese e stadit AIDS, shtrohen në spital. Shumica e tyre,jo.Ka një protokoll për ndjekjen e të sëmurëve, që nënkupton bërjen e analizave, vlerësimin e gjendjes imunitare, vlerësimin e virusit, vlerësimin e infeksioneve oportuniste. Në varësi të stadit bëhet dhe strategjia e ndjekjes, ku kryesorja është mjekimi me ilaçe, dhënia e barnave, që ofrohet falas në klinikën ambulatore të shërbimit infektiv.
11.Aktualisht ka pacientë të shtruar në pavion?
Po, ka të shtruar aktualisht mund të jenë 1 ose 2 pacientë. Ndërsa numri i pacientëve të ndjekur në klinikën ambulatore që marrin terapi është mbi 800 raste.
12.Çfarë vështirësish ose problematikash hasni ju si mjek gjatë trajtimit të këtyre pacientëve?
Natyrisht që nëse hedhim sytë mbrapa në këto 30 vjet histori të HIV-it kanë ndryshuar shumë gjëra. Në ato fillime stigma ka qenë shumë e madhe, diskriminimi, frikërat qoftë te pacientët qoftë te personeli. Gjërat kanë ndryshuar shumë dhe prapë mbetet një sfidë profesionale ,ashtu edhe njerëzore që të merresh me të sëmurë. Ekziston problemi i stigmës, nuk duan që të merret vesh nga komuniteti, nga familje, të afërmit, miqtë. Pra ruajtja e konfidencialitetit mbetet një element i rëndësishëm, që ne e kemi shume parasysh. Pa dyshim që ka probleme që lidhen me çështjet klinike kur vijnë raste të rënda, sëmundje të rënda që duan kujdes, analiza të veçanta, por edhe një mjek të veçantë që të jetë i disponueshëm në spital. Problemet këto i kanë me familjen, partnerin, problemet që kanë me aspektet ekonomike. Por sfida kryesore është problemi i konfidencialitetit, i stigmës dhe i diskriminimit, sepse vazhdon shoqëria shqiptare që të jetë diskrimiuese ndaj këtyre rasteve.
13.Përmendët pak më lart që trajtimi për këto pacientë është falas.
Po, trajtimi për këta persona është falas. Janë ilaçe që i blen spitali dhe i jepen pacientëve falas.
14.Një nga sëmundjet bashkëshoqëruese të HIV është edhe sifilizi, siç e thatë edhe ju pak më sipër. Ju si mjek infeksionist mund të na thoni një informacion të përgjithshëm dhe a ka nje shtim të numrit të rasteve me sifiliz?
Sifilizi është një infeskion seksualisht i transmetueshëm që mbulohet nga infeksionistët. Transmetohet me rrugë seksuale, nga nëna te fëmija. Shumica e rasteve sifiliz jane gej. Transmetimi ndodh si me seks oral, vaginal, anal. Shenjat mund të jenë puçrra në organet gjenitale, puçrra në lëkurë, gjëndra, prekje të organeve të ndryshme. Është e rëndësishme të screenohet nëna edhe për sifiliz, ashtu si edhe për HIV-in. Por për fat të mirë ka mjekim. Duhet të diagnostikohet dhe të mjekohet. Është një bakter që mjekohet me antibiotik dhe kurohet.
Ka një rritje të numrit të rasteve me sifiliz dhe kjo është shqetësuese sepse tregon që ka risqe. Kemi parë raste HIV-sifiliz, ose vetëm me sifiliz, ku është një tregues që ka sjellje të rrezikshme që tregojnë për potencialin e riskut të transmetimit dhe të HIV-it.
15.Dëshironi të përcillni një mesazh për të gjithë shqiptarët që lexojnë këtë intervistë?
Që në 2023 OBSH, UN AIDS e shume shoqata profesionistësh e konsiderojnë HIV-in tashmë një sëmundje jovdekjeprurëse, pra joinfektuese. Një person i infektuar me HIV që merr mjekim në mënyrë të rregullt, në gjakun e tij nuk ka më viruse, që në gjuhën mjekësore quhet nivel i padiktueshëm i virusit. Dhe nëse ti ke nivel të padiktueshëm të virusit, ti nuk je infektues për të tjerët me çfarëdo lloj rruge.
Prandaj mesazhi është që duhet sa më shumë që njerëzit të testohen, të diagnostikohen në kohë, që të marrin mjekim, që të kenë një ecuri të mirë edhe për vete si individë, por edhe për shoqërinë. Pra është mënyra më efektive që është parë edhe nga studimet klinike dhe epidemiologjike, që të parandalohet transmetimi. Testim, testim, testim, diagnozë në kohë, marrje mjekimi dhe mostransmetueshmëri e saj.
Leave a Reply