Dhuna seksuale martesore, tragjedia dhe zgjidhja
Dhuna seksuale bashkëshortore është një problem kompleks që përfshin më shumë se sa një akt më vete në marrëdhëniet mes burrit dhe gruas. ”Mjafton të thyesh zemrën e brishtë të një femre, për të nisur ”plasaritjet”, dhe të lëndosh krenarinë e një mashkulli për t’i vënë vulën”, kjo është formula që çon shumë çifte drejtë ndarjes. Jashar Demiri, psikolog klinik, e quan tragjedi faktin që shumë çifte nuk gjejnë dot gjuhën e përbashkët në dhomën e gjumit, duke sjellë probleme të rënda tek partnerët, nga neveria deri në impotencë fiktive.
Ndërkohë që në mes të kësaj ”tragjedie” ai liston edhe përdhunimet, ku deklaron se shumë partnerë abuzojnë me të drejtat bashkëshortore. Por rastet e denoncuara janë shumë pak pasi i tremben vetëgjygjësisë dhe paragjykimeve.
1-Çfarë është dhuna seksuale bashkëshortore?
Njihen disa lloje të dhunës. Kemi dhunë fizike, dhunë psikologjike dhe dhunë shpirtërore. Tek dhuna seksuale futen dhuna fizike dhe dhuna psikologjike, pasi dhe vetë jeta seksuale ka dy komponentë, ka komponentin fizik dhe komponentin psikologjik. Zakonisht kjo dhunë shoqërohet më një stres postraumatik, i cili vazhdon për një periudhë të gjatë. Bashkëshorti/ja mendon se e ka harruar, por në fakt qëndron i fshehur në vetëdije për t’u ‘zgjuar’ në momentet më të bukura. Një grua apo mashkull i dhunuar nuk mund të japë kurrsesi maksimumin tek partneri, sado që të përpiqet. Sidomos me njerëzit e ndjeshëm dhuna është e paimagjinueshme, e parikuperueshme dhe mbetet si një kockë e patretur në stomak.
2-Kur quhet e dhunshme një jetë seksuale?
Në krevatin bashkëshortor quhet e pëlqyer çdo gjë që e pëlqejnë të dy palët. Ndaj dhunë quhet çdo veprim që bëhet në kundërshtim me dëshirat e tjetrit. Një kënaqësi e arritur kundër dëshirës së tjetrit, quhet kënaqësi egoiste. Dhuna seksuale nis me veprime të ashpra gjatë një marrëdhënie për të përfunduar tek përdhunimet. Më vjen keq ta them por rastet e përdhunimeve janë aq të shumta në shoqërinë tonë sa nuk imagjinohen.
3-Keni hasur ju raste të tilla?
Po, ne në punën tonë i hasim shpesh këto raste dhe mund të them që rastet e padenoncuara janë aq të shumta në krahasim me ato që denoncojnë sa s’mund të imagjinohet. “Viktima” të tilla i tremben vetëgjyqësisë ose kanë turp. Vetëm para pak kohësh kam hasur me një rast të tillë, ku xhaxhai kishte përdhunuar mbesën, por nga turpi dhe frika se mos e merrnin vesh të tjerët, shtirej sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Unë i pyes këto raste nëse duan të denoncojnë, por përballem me përgjigje të tilla si: kam hallin e turpit, do ngelem pa martuar, vëllai im e vret etj.
Përdhunimet i hasim shpesh edhe tek çiftet kur burri vepron kundër dëshirave të gruas duke keqpërdorur të drejtat bashkëshortore, edhe pse kjo është e dënueshme me ligj.
4-Njihet dhuna seksuale vetëm ndaj femrës por edhe ndaj mashkullit?
Ndaj meshkujve ka më shumë dhunë psikologjike. Mua më kanë ardhur çifte ku ka rezultuar se burri jeton i trembur nga gruaja e tij. Madje ka pasur edhe raste ku gruaja është bërë shkaktare që mashkulli të krijojë një impotencë fiktive. Mjafton t’i thotë ti s’më kënaq, organi yt s’ka përmasat e duhura, herën tjetër dua më shumë etj.
Egoja mashkullore është shumë më e ndjeshme se egoja femërore, dhe kur egoja mashkullore “çahet”, nuk ka gjë që ta “ngjisë” më atë. Ana fizike edhe mund të kalohet, por ajo shpirtërore ngelet gozhdë. Një femër mund të jetë ilaçi më i keq, por edhe më i mirë për impotencën mashkullore. Në një artikull unë kam shkruar se doktoresha më e mirë në këtë rast është femra e zgjuar, femra që di si ta trajtojë dhe inkurajojë mashkullin e saj.
5-Cilat janë pasojat më të rënda të një dhune të tillë ?
Kur gjërat përsëriten shpesh, krijojnë një ngacmues psikologjik, sikur edhe diçka e mirë të jetë. Në këtë rast, duke u përsëritur shpesh një dhunë e tillë, tek femra apo mashkulli krijohet një revoltë e brendshme. Në fillim personi e fsheh, pastaj shfaq padurim, i lodhen nervat, dhe shfaq neveri. Unë kam pasur një rast: edhe pse burri ishte shumë simpatik, vetëm nga presioni dhe fjalët përçmuese që i thoshte të shoqes, erdhi një moment ku ajo jo vetëm nuk ndjente më kënaqësi, por dëshira iu kthye në neveri. Nga përbuzja dhe mungesa e dëshirës gjente justifikime nga më të ndryshmet për t’i “shpëtuar” marrëdhënieve seksuale, duke u shtirë ose si e sëmurë, ose flinte më herët.
6-Si i trajtoni ju këto raste?
Me këto raste në përdorim një formë terapie që njihet si psikoterapi konjutive, çka do të thotë që njohim problemin, e shfajësojmë, dhe hapi i tretë e izolojmë. Kjo lloj metode izolimi përbën një lloj harrese në vetvete duke përdorur hipnoterapi (krijojmë afirmacione pozitive me qëllim që truri i femrës të jetë i drejtuar nga pozitivja dhe mendimet instruizive të mos kenë fuqi. Kjo gjë kërkon shumë seanca dhe janë raste që mund të trajtohen vetëm tek psikologu.
7-Sa ndikon një dhunë e tillë në rrugën drejt divorcit?
Jeta shpirtërore e një femre është jashtëzakonisht shumë e lidhur me komunikimin, mirëkuptimin, ndjenjat dhe dashurinë e bashkëshortit të saj, aq sa thuhet dhe se femra dashuron me veshë. Shumica e ndarjeve të çiftet vjen pikërisht për shkak të kësaj ashpërsie, ku zakonisht çiftet zhvillojnë gara inati dhe presioni ndaj njëri-tjetrit. Zakonisht kur dy të rinj njihen, paraqesin anët më të bukura tek tjetri duke maskuar ato negativet. Kur martohen fillojnë e “kthehen tek vetja” ku dalin në pah edhe anët negative që si kemi njohur më parë. Shumë meshkuj, duke u ndjerë inferiorë ndaj grave të tyre që/ ose i kanë shumë të bukura, ose më potente fillojnë e bëhen agresivë duke i bërtitur, kërcënuar e mbajtur nën presion nga frika se mos i tradhtojnë. Një gjë e tillë nuk sjell gjë tjetër veçse zënka mes çiftit dhe, jo më kot, Leon Tolstoi ka shkruar se: Njerëzit u mbijetojnë tërmeteve, epidemive, tmerrit, sëmundjeve dhe të gjitha torturave të shpirtit, por tragjedia më torturuese e të gjitha kohërave ka qenë, është dhe do të jetë tragjedia në dhomën e gjumit.
Leave a Reply