Barazia gjinore në legjislacionin Europian
Iliada Kovaçi
Që në Marrëveshjen e Themelimit të Komunitetit Ekonomik Evropian (EEC), njohur si Bashkësia Ekonomike Evropiane, krijuar nga Traktati i Romës më 1957, vihej theksi mbi barazinë ndërmjet burrave dhe grave. Megjithatë, e para Direktivë[1] e Komunitetit mbi mundësitë e barabarta për gratë dhe burrat ishte Direktiva 75/117/EEC që bazohej mbi parimin e pagës së barabartë për punë me vlerë të barabartë, parim i cili u bë pjesë e Traktatit[2] të Maastrihtit (Neni 119) dhe u zhvillua më tej në Traktatin e Amsterdamit (1 maj, 1999, Neni 141).
Identifikimi i mundësive të barabarta për gratë dhe burrat si “detyrë parësore” e Bashkimit Evropian dhe kusht për zhvillimin ekonomik të tregut të brendshëm ishte në qendër të Samitit të Esenit (1994). Vendimet e tij si, promovimi i mundësive të barabarta për gratë dhe burrat, u bënë elementi më i rëndësishëm në politikat dhe planifikimin ekonomik të BE-së dhe shteteve anëtare. Traktati i Amsterdamit më 1997 formalizoi përkushtimin e BE-së për krijimin e mundësive të barabarta për gratë dhe burrat, nëpërmjet legjitimimit të nocioneve të barazisë gjinore, perspektivës gjinore dhe mundësive të barabarta për gratë dhe burrat. Traktati qartëson detyrat dhe objektivat e BE-së që përqendrohen në eliminimin e pabarazisë (Neni 2), promovimin e mundësive të barabarta midis grave dhe burrave (Neni 3.2) në detyrimin për ‘të ndërmarrë veprimet e duhura për të luftuar diskriminimin që bazohet në diferencat gjinore’.
Legjislacioni i mëvonshëm i BE-së për Barazinë Gjinore bazohet në Traktatin e Amsterdamit dhe përmbledh të gjitha Direktivat e BE-së që kanë dalë në mbështetje të Traktatit. Në vitin 2006 u miratua Platforma për Arritjen e Barazisë Gjinore ndërmjet Grave dhe Burrave. Po këtë vit, shtetet anëtare miratuan Paktin Europian për Barazinë Gjinore që mbështet detyrimin e vendeve anëtare për të zbatuar politika gjinore që synojnë të përmirësojnë punësimin, harmonizimin ndërmjet jetës profesionale dhe asaj personale, kujdesin ndaj fëmijëve, etj.
Një nga parimet bazë të Direktivave të BE-së është arritja e barazisë gjinore në tregun e punës. Direktivat kryesore të BE-së mbi mundësitë e barabarta gjinore janë: Direktiva mbi zbatimin e parimit të trajtimit të barabartë të grave dhe burrave lidhur me aksesin/ mundësitë në punësim, trajnim profesional dhe promovim, si dhe mbi kushtet e punës (2002); Direktiva për mallrat dhe shërbimet (2004), e cila mundëson akses të barabartë për gratë dhe burrat lidhur me mallrat dhe shërbimet dhe zgjeron për herë të parë legjislacionin përtej tregut të punës; Direktiva për Përmirësimin e Barazisë Gjinore (2006), e cila riorganizon direktivat e mëparshme të BE-së lidhur me parimin e mundësive dhe trajtimin e barabartë të grave dhe burrave në fushën e punësimit.
Në vitin 1998, Strategjia Europiane e Punësimit e vendosi çështjen e arritjes së barazisë gjinore si një nga katër shtyllat strukturore dhe mbështetëse të saj: (i) Aftësia për të krijuar punësim; (ii) Sipërmarrja dhe iniciativa e lirë; (iii) Përshtatshmëria, adaptimi; (iv) Mundësi të barabarta midis gjinive. Në vitin 1999 u propozua që mundësitë e barabarta gjinore të integroheshin/përfshiheshin në të gjitha orientimet e punësimit.
Si rezultat u përcaktuan katër aspekte kryesore: (a) Perspektiva gjinore në punësim; (b) Shënjestrimi e zvogëlimit të hendekut gjinor në punësim; (c) Harmonizimi i punës me jetën familjare, kujdesi kundrejt fëmijëve (duke përfshirë lejen e paguar për prindin mashkull); (d) Krijimi i lehtësirave për integrimin në tregun e punës (duke trajtuar veçanërisht diskriminimin dhe ngacmimin seksual në vendin e punës). Për herë të parë, në mënyrë të qartë iu kërkua shteteve anëtare të BE-së të integrojnë perspektivën gjinore në të gjitha shtyllat e Strategjisë Europiane të Punësimit. Politikat e punësimit janë ato që ndeshen më shpesh kur flasim për politikat e BE-së për arritjen e barazisë gjinore. Por BE ka disa politika dhe strategji të hartuara dhe në fushën e arsimit dhe trajnimit, si Kartën e Bolonjës (njësimin e sistemit arsimor), në fushën e institucioneve, politikave dhe sigurimit të shëndetit publik, në fushën e të drejtave të njeriut, emigrimit, trafikimit të qenieve njerëzore, etj. Platforma Komunitare Strategjike për Barazinë Gjinore (2001-2005) artikuloi një spektër të gjerë çështjesh si: barazia në jetën ekonomike; përfaqësimi i barabartë në politikë; përfitimi i plotë i të drejtave sociale si për gratë edhe për burrat; nxitja e barazisë në jetën publike si dhe promovimi i ndryshimit progresiv të roleve gjinore dhe stereotipave gjinore.
Do të ishte viti 2006, kur BE krijoi Institutin Europian për Barazinë Gjinore dhe aprovoi Planin e Përbashkët për Integrimin e Qytetarëve të Vendeve jo-Anëtare. Ky plan synonte t’i ndihmonte këto vende lidhur me fenomenet e emigrimit, trafikimin e qenieve njerëzore, punësimin e detyruar, etj..
P.S. Shtetet anëtare duhet t’i zbatojnë të gjitha Direktivat e miratuara nga BE duke i zgjedhur vetë mënyrat me të cilat i bëjnë të zbatueshme. Vendimet që ndërmerren nga institucionet e BE bëhen menjëherë të detyrueshme për t’u zbatuar nga institucionet ose shtetasit të cilave u drejtohen.
“Gender mainstreaming in the socio-economic policies of the municipalities in the region of Lezha” project, implemented by Together for Life organization, has been supported by Reactor – Research in Action and their partners through the Action “Furthering Gender Equality through the EU Accession Process”. This Action is funded by the European Union and co-funded by the Swedish International Development Cooperation Agency.
The contents of this post are the sole responsibility of the Together for Life organization and do not necessarily reflect the views of the European Union or the Swedish International Development Cooperation Agency.
[1] Direktiva është akt legjislativ Europian. Ajo bëhet e detyrueshme për t’u bërë pjesë e legjislacionit të brendshëm të çdo vendi anëtar, menjëherë pas miratimit nga institucionet Europiane.
[2] Traktati është një marrëveshje e bërë sipas ligjit ndërkombëtar
Leave a Reply